Ahmeti i dëshpëruar me deklaratat e Kurtit për gjuhën shqipe në Maqedoni të Veriut
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se në Maqedoninë e Veriut nuk ekziston ligji për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Ahmeti, i cili ishte prezent në ceremoninë e organizuar për Ditën e Veteranit, tha se Kurti ka qenë i keq informuar lidhur me gjuhën zyrtare…
Lajme
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se në Maqedoninë e Veriut nuk ekziston ligji për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
Ahmeti, i cili ishte prezent në ceremoninë e organizuar për Ditën e Veteranit, tha se Kurti ka qenë i keq informuar lidhur me gjuhën zyrtare shqipe dhe sipas tij, kryeministri i Kosovës duhet të jetë i kujdesshëm në zhvillimet dhe prononcimet e tij, pasi që ka shkaktuar indinjatë te qytetarët.
“Mua më ka dëshpëruar dhe kam dashur të besoj dhe besoj që kryeministri i Kosovës ka qenë i keq informuar nga politikanët në Maqedoni lidhur me gjuhën zyrtare shqipe andej. Gjuha shqipe është zyrtare dhe e sanksionuar me Kushtetutë dhe Marrëveshjen paqësore të Ohrit, është njëra nga shtyllat kryesore të marrëveshjes së Ohrit… Duhet të jemi të kujdesshëm në zhvillimet dhe në prononcimet”, tha Ahmeti.
Kreu i BDI-së ka komentuar edhe çështjen e ish-zëvendëskryeministrit nga radhët e kësaj partie Artan Grubin, për të cilin tha se është i gatshëm të përgjigjet përpara drejtësisë.
“Artan Grubi nuk është arratisur nga Maqedonia. Grubi është i gatshëm të përgjigjet përpara organeve të drejtësisë, të respektojë ligjet, por jo me drejtësi hakmarrëse e selektive. Jemi të gatshëm të përgjigjemi, në çdo moment, dhe kemi kërkuar në vend të bëhet vettingu, të hapet hetim për të gjitha partitë politike, të hapet hetim për pasurinë e të gjithë funksionarëve deri më sot… Deri në pikën e fundit do të punojmë dhe luftojmë, si në aspektin kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, urdhëroni, hapim hetim për të gjithë”, shtoi Ahmeti.
Artan Grubi thuhet se është larguar nga Maqedonia e Veriut më 15 dhjetor dhe autoritetet ende nuk bëjnë të ditur nëse kanë informacione se ku ndodhet. Grubi është i dyshuari i dytë për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore. Në këtë rast i përfshirë është edhe ish-drejtori i Lotarisë, Përparim Bajrami, i cili po ashtu është në arrati. Një javë para aktakuzës së Prokurorisë, Grubi bashkë me gjykatësin e apelit Enver Bexheti u vendos në listën e zezë amerikane.