AGK reagon ndaj sjelljes së zyrtarëve ndaj gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar lidhur me sjelljen e zyrtarëve publikë ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë. Sipas tyre, kohëve të fundit zyrtarët e institucioneve, pa përjashtim, po bëjnë përpjekje për të penguar punën e gazetarëve në forma të ndryshme.

Lajme

03/06/2015 14:23

“AGK-ja ka vërejtur se kohëve të fundit janë shtuar përpjekjet e zyrtarëve të institucioneve pa përjashtim, për të penguar punën e gazetarëve në forma të ndryshme”, thuhet në raport.

Si një nga rastet më të fundit të pengimit të punës së gazetarëve, sipas AGK-së, është përmendur rasti i Kryeshefit ekzekutiv të PTK-së Agron Mustafa, i cili në një konferencë të kompanisë që ai drejton fillimisht ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjes së gazetarit të gazetës “Zëri” dhe më pastaj ka ofenduar rëndë gazetarin.

AGK ka rikujtuar se është e drejtë themelore që gazetarët të bëjnë pyetje në konferenca për media për secilën çështje me interes publik, edhe nëse pyetja është jashtë temës për çka është thirrur konferenca.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga zyrtarët e institucioneve që nëse kanë çyshte të pasqaruara me drejtuesit e medieve të ndjekin rrugë tjera për t’i sqaruar ato, përfundon komunikata e lëshuar nga AGK-ja.