AGK mbështet thirrjen e Sekretarit të EFJ drejtuar Kurtit: Të ndalohet menjëherë fushata e shpifjeve ndaj gazetarëve

AGK ka reaguar sot duke mbështetur fuqishëm thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas gjuhës denigruese të përdorur nga anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi. AGK ka shpërndarë postimin e Gutierrez-it, i cili i kërkon Kurtit të ndërhyjë menjëherë për të…

Lajme

03/12/2025 23:09

AGK ka reaguar sot duke mbështetur fuqishëm thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas gjuhës denigruese të përdorur nga anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi.

AGK ka shpërndarë postimin e Gutierrez-it, i cili i kërkon Kurtit të ndërhyjë menjëherë për të ndalur atë që ai e quan “fushatë shpifëse” ndaj gazetarëve dhe organizatave të tyre, raporton lajmi.net

Në reagimin e tij, Gutierrez ka dënuar ashpër deklaratat e Kurteshit, i cili e ka quajtur AGK-në “aleancë e grupeve kriminale”, duke thënë se një krahasim i tillë është “i turpshëm, i padenjë dhe krejtësisht i papranueshëm”.

Postimi i Ricardo Gutierrez:

Kryeministër në detyrë Kurti,

Ju bëj thirrje që menjëherë t’i jepni fund fushatës shpifëse që po zhvillohet nga një anëtar i partisë suaj kundër gazetarëve.

Sami Kurteshi e ka përshkruar organizatën tonë partnere, Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), si një “aleancë e grupeve kriminale”.

Krahasimi i një organizate shumë të respektuar të gazetarëve evropianë me një grup kriminal është njëkohësisht i turpshëm dhe i padenjë. AGK është një organizatë e respektuar që thjesht po e kryen punën e saj, që është mbrojtja e gazetarëve dhe e gazetarisë.

Z. Kurti, duke toleruar shpërthime të tilla, ju po i cenoni gazetarët, besueshmërinë e tyre dhe vendin tuaj, duke lejuar që vetë partia juaj, VV-ja, të denigrojë këdo që guxon t’ju kërkojë llogari juve dhe vendimmarrësve të tjerë.

Turp për partinë tuaj! Ju bëj thirrje t’i jepni fund këtij frikësimi para se të jetë tepër vonë.

Kam parë shumë gazetarë të përballen me abuzime dhe sulme fizike, shumë shpesh pas denigrimeve publike. Ju keni përgjegjësi t’i ndalni këto praktika që ngjasojnë me mafien.

Përndryshe, do të jeni bashkëpjesëmarrës në to./Lajmi.net/