Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit deklarohet nëse po verifikon pasurinë e Vjosa Osmanit: Trajtojmë çdo raportim në mënyrë të pavarur
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është një nga zyrtaret shtetërore më të pasura në vend, gjë kjo e dëshmuar edhe përmes deklarimit të pasurisë. Por së fundi kjo pasuri e Osmanit duket se ka rënë edhe në syrin e një prej institucioneve shtetërore, asaj të Parandalimin e Korrupsionit. Mbrëmë është raportuar se Agjencia për Parandalimin…
Lajme
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është një nga zyrtaret shtetërore më të pasura në vend, gjë kjo e dëshmuar edhe përmes deklarimit të pasurisë.
Por së fundi kjo pasuri e Osmanit duket se ka rënë edhe në syrin e një prej institucioneve shtetërore, asaj të Parandalimin e Korrupsionit.
Mbrëmë është raportuar se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka nisur një hetim për dallimin e theksuar të deklarimit të pasurisë së Osmanit nëpërmjet viteve 2024-2025.
E gjithë kjo theksohet të ketë nisur kur janë vërejtur dallime në sasinë e pasurisë që Osmani pati deklaruar në formularët e deklarimit të pasurisë për zyrtarët publikë. E këto ndryshime në përgjithësi kanë të bëjnë me rritjen e kursimeve, si dhe me shtimin e shumës së parave të gatshme të deklaruara.
Në lidhje me këtë çështje në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit u tha se ky institucion në përputhje me mandatin e saj ligjor, nuk mund të konfirmojë apo të mohojë ekzistencën apo mungesën e ndonjë procedure konkrete.
“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, në përputhje me mandatin e saj ligjor, nuk mund të konfirmojë apo të mohojë ekzistencën apo mungesën e ndonjë procedure konkrete, qoftë ajo e iniciuar në bazë të raportimit, shortit ligjor apo ex officio, përfshirë edhe çështje që mund të lidhen me persona të caktuar publikë të nivelit të lartë”, thuhet nga APK.
Por po ashtu u tha se Agjencia mund të konfirmoj se trajton çdo raportim apo informacion të pranuar me seriozitet të plotë, në mënyrë profesionale me standarde të larta të integriteti institucional.
“Agjencia, po ashtu, ju konfirmon se trajton çdo raportim apo informacion të pranuar me seriozitet të plotë, në mënyrë profesionale, të pavarur dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, duke respektuar standardet më të larta të integritetit institucional”.
Agjencia zyrtarisht komunikon vetëm përmes kanaleve të saj zyrtare dhe vetëm në rastet kur ligji e lejon një gjë të tillë.
E për këtë çështje një deklarim patën edhe nga Zyra e Presidencës.
Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina madje tha se Osmani mirëpret çdo verifikim nga institucionet e pavarura, por të bazuar në ligj.
“Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhin në këtë fazë”, deklaroi Kupina.
Ndryshe në deklarimin e fundit të pasurisë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se i merr 33,104 euro neto si pagë vjetore. Ndërsa, nga mëditjet në udhëtimet zyrtare jashtë vendit, për një vit ajo ka përfituar 11,639 euro.
Osmani ka deklaruar se me bashkëshortin posedojnë një “banim” të blerë në vitin 2019, me vlerë 208,000 euro.
Në emër të bashkëshortit Prindon Sadriut ajo ka deklaruar një banesë në vlerë mbi 59,760 euro, një shtëpi në Australi 170,000 euro, një garazh kolektive 6,000 euro.Presidentja ka deklaruar një tokë në emrin e saj – 5.10 ari, të cilën deklaron ta ketë blerë 35,000 euro në vitin 2016.Pronën në Australi në vlerë 530,000 euro, të deklaruar në emër të bashkëshortit, Osmani e ka arsyetuar se është blerë me para nga “shitja e shtëpisë në Australi në pronësi të bashkëshortit, shitja e shtëpisë së prindërve të tij (vlera e trashëgimisë), kursime, hua familjare”.Osmani ka deklaruar një veturë në vlerë 10,000 euro në pronësi të bashkëshortit, e tipit Mercedes, e blerë nga kursimet dhe shitja e veturës paraprake.
Tutje, ajo ka deklaruar dy kredi: një 40,000 euro dhe tjetra 16,000 euro.Këstet e papaguara për punët shtesë të shtëpisë nga Kompani të ndryshme kanë mbetur 16,000 euro. Kurse, huamarrje për pagesën e banimit në Melbourne ka deklaruar 40,500.00 euro, në kuadër të të drejtave dhe detyrimeve financiare ndaj personave fizik dhe juridik.Ndërsa, për bashkëshortin e saj Prindon Sadriu ajo ka deklaruar pagë vjetore 11,068 euro.
Kurse, nga Vendimi gjyqësor në çështjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka përfituar 19,000 euro.Sadriu nga të hyrat nga qiraja në shtëpinë në Australi i ka pasur 12,500 euro. Nga mëditjet nga puna në Ministri të Punëve të Jashtme, ai ka marrë 2,800 euro.
Në deklarimin e vitit të kaluar ka pasur afër 1 milion euro pasuri të paluajtshme – ka deklaruar presidentja e shtetit Vjosa Osmani nën pronësi të përbashkët me bashkëshortin, Prindon Sadriun./Lajmi.net/