Agim Vinca: Bob Dylan është tekstshkrues, jo shkrimtar

Lirika e këngëve të Bob Dylan pa dyshim është e fuqishme dhe përcjellë protestën e pakënaqësinë në një mënyrë të freskët, por ai është tekstshkrues e jo shkrimtar dhe Çmimi Nobel duhet t’i jepet një shkrimtari.

ShowBiz

14/10/2016 07:14

Kështu ka thënë poeti dhe studiuesi shqiptar, Agim Vinca për Klan Kosova.

Ai është shprehur i befasuar me këtë zgjedhje të Komitetit Suedez.

“Jo vetëm unë, por shumë veta i ka zënë në befasi dhënia e çmimit Nobel për Letërsi, një këngëtari të muzikës rok dhe i cili është njëkohësisht edhe një poet siç është Bob Dylan”.

“Ai është autor i teksteve të fuqishme, megjithatë nuk është shkrimtar në kuptimin e plotë të fjalës”.

Vinca ka folur edhe për favoritët e tij për këtë vit.

“Favoritët ishin, Ismail Kadare, Haruki Murakami, Adunisi, Philip Roth”, por “komiteti i Nobelit i ka kriteret e veta, politikën dhe strategjinë e vet, dhe jo gjithmonë niset vetëm nga premisat letrare, por ka parasysh edhe rrethanat politike, kulturore etj”.

Vinca ka treguar edhe për aryset që, sipas tij, po e pengojnë Kadaren ta fitojë Nobelin.

“Ismail Kadare është një shkrimtar i madh, vepra e tij ka vlerë universale. Ai është shkrimtar botëror i përkthyer mbi 40 gjuhë të botës, por ai duket se do ta ketë të vështirë për disa arsye, të cilat i dinë ata që i vendosin fituesit”.

“E vërtetë, Kadare ka bërë kompromise me sistemin, por megjithatë me veprën e tij ia ka rrënuar themelet”.

“Por, ka edhe shqiptarë që i shkruajnë komitetit të Nobelit kundër Kadares”.

“Megjithatë, unë si shkrimtar e vlerësoj si një ndër 10 shkrimtarët më të mirë në botë”, deklaroi Vinca, njofton Klan Kosova.