Agim Ademi uron 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Futbolli, një zë i fuqishëm për shtetësinë tonë

Në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka përshëndetur këtë ditë historike dhe ka reflektuar mbi rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe konsolidimit ndërkombëtar. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi ka theksuar se 17 shkurti 2008 mbetet një moment i paharrueshëm, akti më i madh politik dhe kombëtar…

Sport

17/02/2026 10:00

Në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka përshëndetur këtë ditë historike dhe ka reflektuar mbi rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe konsolidimit ndërkombëtar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi ka theksuar se 17 shkurti 2008 mbetet një moment i paharrueshëm, akti më i madh politik dhe kombëtar që shënoi themelimin e shtetësisë së Kosovës, raporton lajmi.net

Ademi ka përkujtuar sakrificat e mëdha të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, duke theksuar se kjo ka qenë një rrugë e mbushur me përpjekje të pandalshme që, përmes bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë, sollën realizimin e objektivave madhorë për shtetndërtimin.

“Kosova ka ekzistuar ndër shekuj si truall i identitetit dhe qëndresës sonë, por si shtet i pavarur ka një histori të re, të pjekur dhe të konsoliduar. Gjatë këtyre 18 viteve, Kosova ka shënuar përparim të dukshëm në shumë drejtime. Ne kemi ndërtuar institucione të forta dhe kemi afirmuar veten në botë,” ka shkruar Ademi.

Postimi i tiji plotë:

Sot, në 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kujtojmë me nderim dhe mirënjohje të thellë rrugëtimin tonë historik drejt lirisë dhe konsolidimit ndërkombëtar.
17 Shkurti 2008 mbetet akti më i madh politik e kombëtar, gurthemeli i shtetësisë, i paraprirë nga dekada sakrificash dhe përpjekjesh të pandalshme për liri e pavarësi.
Kosova ka ekzistuar ndër shekuj si truall i identitetit dhe qëndresës sonë, teksa si shtet i pavarur ka një histori të re që tashmë ka arritur nivel të pjekurisë dhe konsolidimit.
Këto 18 vite ishin vite të ndërtimit të institucioneve, forcimit të demokracisë dhe afirmimit tonë në botë. Rruga nuk ishte e lehtë, por në koordinim me aleatët u arritën objektivat madhor.
Sot, bashkë me shtetin është rritur edhe futbolli ynë, i cili është shndërruar në një nga zërat më të fuqishëm të promovimit të shtetësisë sonë.
Gjatë këtyre viteve, kemi shënuar përparim të dukshëm në shumë drejtime. Kemi konsoliduar strukturat organizative, kemi investuar në infrastrukturë dhe kemi hapur shtigje për talentet e reja që të ëndërrojnë dhe të triumfojnë nën ngjyrat e flamurit tonë.
Çdo paraqitje ndërkombëtare, çdo fitore dhe çdo organizim është dëshmi e përkushtimit tonë për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet.
Obligimi ynë për të ardhmen është i qartë: të forcojmë bazat e zhvillimit, të investojmë në stadiume moderne, në akademi dhe në edukimin sportiv të gjeneratave të reja.
Duam të frymëzojmë çdo vajzë dhe djalë që, përmes futbollit, të ndërtojë karakterin, disiplinën dhe ndjenjën e lartë të atdhedashurisë.
Në këtë ditë të bekuar, përkulemi me respekt para sakrificës së atyre që dhanë jetën për lirinë që ne gëzojmë.
Sakrifica dhe trashëgimia e tyre është përgjegjësia jonë për ta bërë Kosovën më të fortë, më të drejtë dhe më të suksesshme në çdo sferë.
Në këtë 18-vjetor duam të realizojmë ëndrrën tonë të madhe: kualifikimin në Kupën e Botës 2026.
Ky nuk është një mision i lehtë, por ne do të vazhdojmë të punojmë e të besojmë në këtë objektiv, me shpresë se edhe fati do të jetë krah nesh.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!
Urime 18 vjetori i Pavarësisë./Lajmi.net/