Afro 4 mijë pako të diasporës refuzohen nga KQZ – vijon numërimi në QNR

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon dita e dytë e numërimit të fletëvotimeve që i përkasin votimit jashtë Kosovës, në kuadër të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale. Sipas njoftimit zyrtar, deri të shtunën në orën 16:00, janë numëruar gjithsej…

Lajme

18/10/2025 18:55

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon dita e dytë e numërimit të fletëvotimeve që i përkasin votimit jashtë Kosovës, në kuadër të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Sipas njoftimit zyrtar, deri të shtunën në orën 16:00, janë numëruar gjithsej 55 kuti postare – 32 prej tyre me pako të fletëvotimeve të supozuara për zgjedhjet për kryetarë komunash dhe 23 të tjera për Kuvendet Komunale, transmeton lajmi.net.

KQZ ka bërë të ditur se nga gjithsej 23 kuti postare të tërhequra, janë pranuar 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat janë futur në proces vlerësimi. Ky vlerësim ka për qëllim të verifikojë nëse pakoja është dërguar nga një votues i regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës.

Nga këto pako, janë aprovuar 29,636, ndërsa 3,977 janë refuzuar pasi nuk i kanë përmbushur kriteret e nevojshme.

Ndërkohë, KQZ ka bërë të ditur se që nga ora 14:00 e ditës së shtunë, në platformën zyrtare për publikimin e rezultateve (https://resultslocal2025.kqz-ks.org), kanë filluar të publikohen edhe rezultatet e para nga numërimi i votave të diasporës.

Procesi i numërimit në QNR pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, përderisa përfundimi i këtij faze është kyç për konfirmimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor./lajmi.net/