Afati i fundit për aplikim në “Youth Film Fest” po afrohet
Data 10 Dhjetor është afati i fundit për të aplikuar në edicionin e dytë të Festivalit e Filmit për të Rinj (Youth Film Fest) i cili organizohet nga Keshilli Rinor i Ambasadës Amerikane dhe Innovation Centre Kosovo (ICK).
ShowBiz
Temat për këtë vit janë: Fuqizimi i të Rinjve, Gratë në Biznes, Ambienti, Teknologjia dhe Shoqëria, ndërsa të drejtë aplikimi kanë të gjithë të rinjtë nga Kosova të moshës 16 deri në 30 vjeç, të cilët shfaqin interesim në fushën e filmit, apo dëshirojnë të paraqesin pikëpamjet e tyre në lidhje me temat e përzgjedhura.
Të gjithë të interesuarit mund të marrin informata, të aplikojnë në web faqen e festivalit www.youthfilmfest-ks.org dhe të bëhen pjesë e garës për t’u shpërblyer me çmime të ndryshme. Kohëzgjatja e filmit duhet të jetë prej 3-40 minuta, ndërsa në rast se filmat janë prodhuar më herët, nuk duhet të jenë më të vjetër se 2 vite. Pas regjistrimit në web faqe, aplikuesit duhet të dorëzojnë DVD-në bashkë me konfirmimin e regjistrimit, në zyrat e Innovation Centre Kosovo (ICK), Rr. Rexhep Mala 28A, Prishtinë.
Youth Film Fest synon të angazhojë të rinjtë në fushën e filmit dhe njëkohësisht edhe t’i kontribuojnë vendit duke promovuar anët pozitive, zhvillimin e përgjithshëm, mirëqenien dhe inovacionin.
Shfaqja e filmave dhe ceremonia e ndarjes së shpërblimeve mbahet më 17 Dhjetor, në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë. Aktiviteti organizohet nën patronatin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie.
Një festival i profilit të tillë është i pari dhe i vetmi që organizohet në Kosovë e qe është përkrahur fuqishëm nga festivalet tjera dhe organizata të shumta në vend. Filmi fitues i këtij edicioni do të jetë pjesëmarrës në Pri Film Fest 2017.
Për herë të parë ky festival u organizua ne vitin 2015, me temën “Kosova Ime”.