Afat shtesë për votuesit e diasporës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar sot kërkesën e Ministrisë së Diasporës për shqyrtimin e mundësisë së zgjatjes së afatit për shtatë ditë për aplikim për regjistrim për votuesit jashtë Kosovës. Me këtë vendim, votuesit jashtë Kosovës do të kenë mundësi që deri më 17 shtator t’i dërgojnë aplikacionet për regjistrim përmes postës, faksit dhe…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar sot kërkesën e Ministrisë së Diasporës për shqyrtimin e mundësisë së zgjatjes së afatit për shtatë ditë për aplikim për regjistrim për votuesit jashtë Kosovës.
Me këtë vendim, votuesit jashtë Kosovës do të kenë mundësi që deri më 17 shtator t’i dërgojnë aplikacionet për regjistrim përmes postës, faksit dhe e-mailit.
Në anën tjetër, zgjatja e këtij afati mund të ndikojë që të shkurtohet periudha e sfidimit të votuesve jashtë vendit. Për këtë, KQZ vendosi që periudha e sfidimit të zgjatet deri më 24 shtator.
Gjithashtu, në këtë mbledhje, sipas rekomandimit për certifikim të subjekteve politike për zgjedhjet e 3 nëntorit, u certifikuan tri nisma qytetare, një parti politike dhe një kandidat i pavarur.
Betim Gjoshi. anëtar i KQZ’së nga PDK mbështeti kërkesën e Ministrisë së Diasporës.
“E mbështes por maksimumi që mund të bëjmë është ta zgjasim afatin për një javë dhe ta bëjmë të qartë në përgjigjen tonë se nuk do të ketë mundësi të shtyrjeve të mëtutjeshme për shkak se kemi afate tjera ligjore.”
Por Adnan Rrustemi nga Vetëvendosje ka qenë kategorik kundër kësaj kërkese. Ai akuzoi institucionet e Kosovës për “hipokrizi” duke thënë se prapa kësaj kërkese qëndron OSBE për t’u dhënë mundësinë serbëve të regjistrohen në listën e votuesve për zgjedhjet e 3 nëntorit.
“Kjo kërkesë nuk ka të bëjë me diasporën, por ka të bëjë tërësisht me regjistrimin e votuesve në Serbi. Ky nuk është vendim i KQZ’së por është vendim që është marrë në Bruksel në takimin e fundit në dialogun politik.”
“Është për keqardhje që edhe Ministria e Diasporës është lëshuar në funksion të rritjes së votuesve serbë për këto zgjedhje. Kjo vie nga OSBE pas refuzimit të kërkesës javën e kaluar.”
Por, ai është kundërshtuar nga anëtari i LDK’së në KQZ, Florian Dushi.
“Pa u marrë me teori të konspiracionit, ne kemi një kërkesë nga Ministria e Diasporës e cila ka kërkuar një periudhë shtesë. Ka rastisur që periudha kur votuesit nga diaspora ka qenë dashur të regjistrohen për të votuar, ka qenë periudhë kur shumica e tyre kanë qenë në pushime në Kosovë, mendoj se duhet të shqyrtohet dhe nëse nuk shkaktohen probleme të mëdha të cilat mund ta cenojnë rrjedhën e procesit, mendoj se duhet të lejohet.”