​Ademi: Vota e sotme është votë e besimit në personalitetin tim

Agim Ademi është rizgjedhur president i Federatës së Futbollit të Kosovës, duke siguruar edhe një mandat të ri katërvjeçar në krye të institucionit më të lartë të futbollit në vend. Vendimi është marrë në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së, ku delegatët kanë shprehur mbështetje të plotë për vazhdimin e udhëheqjes aktuale dhe për drejtimin strategjik të…

Sport

05/02/2026 14:06

Agim Ademi është rizgjedhur president i Federatës së Futbollit të Kosovës, duke siguruar edhe një mandat të ri katërvjeçar në krye të institucionit më të lartë të futbollit në vend. Vendimi është marrë në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së, ku delegatët kanë shprehur mbështetje të plotë për vazhdimin e udhëheqjes aktuale dhe për drejtimin strategjik të federatës në vitet e ardhshme.

Pas përfundimit të procesit të votimit, Ademi ka vlerësuar rezultatin si shprehje të besimit të komunitetit të futbollit ndaj punës së deritanishme të tij dhe ekipit drejtues, si dhe si përkrahje për projektet dhe objektivat që FFK synon të realizojë në mandatin 2026–2030. Ai ka theksuar unitetin e delegatëve dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, duke e konsideruar këtë mbështetje si konfirmim të progresit institucional, profesionalizmit dhe strategjisë së ndjekur nga federata në vitet e fundit

“Vota e sotme është votë e besimit në personalitetin tim dhe në ekipin tim, është votë e vlerësimit të punës së bërë, është votë e përkrahjes për punët që do ta na vijnë në këtë katër vjeçar. Jam shumë i lumtur që e kam të gjithë kuvendin, të gjithë komunitetin e futbollit që janë më shumë se 50 mijë veta e në këtë rast më shumë se 50 veta në kuvend dhe jam shumë i lumtur që janë unik dhe e kanë prekur rezultatin, sinqeritetin, profesionalizmin, projektet, strategjinë e Federatës së Futbollit me të cilin kemi shkuar dhe kemi bërë ngritje. Uroj që edhe në këto katër vitet të jenë të realizuara ato të cilat i kemi premtuar edhe më tej”, tha Ademi.

Presidenti i rizgjedhur ka shprehur pritshmëri që premtimet dhe planet e prezantuara të konkretizohen edhe në katër vitet e ardhshme, me synim zhvillimin dhe ngritjen e mëtejme të futbollit kosovar.