Ademi e vlerëson ngjitjen e Kosovës në Nations League

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka vlerësuar ngjitjen e Kombëtares A në Ligën B të Nations League si rezultat të punës ekipore, duke theksuar kontributin e madh të selektorit Franco Foda dhe të futbollistëve.   Kosova së fundmi ka mposhtur Islandën në të dy ndeshjet e “play off”, ndërsa Ademi…

Sport

30/03/2025 22:43

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka vlerësuar ngjitjen e Kombëtares A në Ligën B të Nations League si rezultat të punës ekipore, duke theksuar kontributin e madh të selektorit Franco Foda dhe të futbollistëve.

 

Kosova së fundmi ka mposhtur Islandën në të dy ndeshjet e “play off”, ndërsa Ademi ka dhënë një intervistë për RTK, ku ka folur për suksesin e Kosovës në Ligën e Kombeve dhe synimet e ardhshme.

“Ngritja në Ligën B është meritë e të gjithëve, me theks të veçantë e selektorit Foda dhe futbollistëve. Foda e ka besimin e plotë. Ai ka rikthyer besimin dhe entuziazmin në kombëtare dhe puna e tij është e dukshme”, ka thënë Ademi, duke shtuar se në miqësoren e ardhshme kundër Armenisë mund të ketë edhe prurje të reja në ekip.

Ademi është ndalur edhe te fushata e kualifikimeve për Botërorin 2026. “Synimi ynë do të jetë kualifikimi në Botëror, pavarësisht se grupi është sfidues. Kampionati Botëror do të mbahet mes tjerash në SHBA, një vend që ka mbështetur gjithmonë Kosovën, dhe shpresojmë që do të jemi pjesë e këtij turneu të madh”, ka thënë ai.

Duke u ndalur te puna e FFK-së, Ademi ka thënë se shtëpia kryesore e futbollit evropian është ndarë mjaft e kënaqur me organizimin e Komitetit “HatTrick”, ku si vlerësim janë ndarë edhe dy plaketa.