Aborti i jashtëligjshëm nga 19 vjeçarja, Prokuroria lëshon masën e ndalimit për të dyshuarat

Një abort i jashtëligjshëm është raportuar të ketë ndodhur në Podujevë, rast ky për të cilin janë të dyshuara dy gra. Lajmi.net pak më parë ka raportuar se dy të dyshuarat janë nënë e bijë të cilat janë arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për vrasje të foshnjës gjatë lindjes si dhe për ndihmë…

Lajme

01/07/2024 14:20

Një abort i jashtëligjshëm është raportuar të ketë ndodhur në Podujevë, rast ky për të cilin janë të dyshuara dy gra.

Lajmi.net pak më parë ka raportuar se dy të dyshuarat janë nënë e bijë të cilat janë arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për vrasje të foshnjës gjatë lindjes si dhe për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

Për këtë rast Prokurori i Shtetit ka ngritur aktvendim mbi ndalimin e dy të dyshuarave.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave (të gjinisë femërore), për shkak të dyshimit se të njëjtat kanë kryer veprat penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes” dhe “Ndihma në vrasjen e foshnjës gjatë lindjes”, sipas KPRK-së”, ka thënë për lajmi.net Laureta Ulaj, zyrtare për media dhe informim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Policia e Kosovës sot në raportin 24 orësh ka njoftuar se një grua ka kërkuar tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës , pasi dyshohet se ka qenë shtatzënë dhe ka abortuar në mënyrë të jashtëligjshme.

“Podujevë 30.06.2024-02:00. Raportohet se në QKUK ka kërkuar tretman mjekësor e dyshuara femër kosovare e cila dyshohet se ka qenë shtatzënë dhe ka abortuar në mënyrë të paligjshme. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuara dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Ndryshe sipas raportimeve të para theksohet se e dyshuara që abortoi foshnjën është 19 vjeçare dhe nëna e saj rreth 40 vjeç.

Me Ligjin në fuqi të Republikës së Kosovës, “një femër e moshës madhore mund të vendosë vet mbi ndërprerjen e shtatzënisë deri në fund të javës së dhjetë (10) të shtatzënësisë, kurse çdo ndërprerje e shtatzënisë pas javës së 10 është në kundërshtim me Ligjin e Shëndetësisë dhe duhet të bëhet me komision shëndetësor profesional”.

Aborti sipas të njëjtit Ligj, lejohet edhe pas javës së 10, madje në çdo periudhë të shtatzënisë, për arsye mjekësore.

Kurse, “për arsye kriminologjike një femër ka të drejtë ta ndërpresë shtatzëninë gjerë në javën e 22-të”.