Abelard Tahiri: Dy Qeveritë e Kurtit kanë shkelur Kushtetutën 11 herë në 5 vite
Abelard Tahiri nga radhët e PDK-së ka theksuar rëndësinë historike të 17-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Kosovës, duke e cilësuar atë si themelin juridik dhe politik të shtetit. Tahiri tha se respektimi i Kushtetutës është thelbësor për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe stabile. Megjithatë, ai ka kritikuar dy qeveritë e udhëhequra nga Albin…

Lajme
Abelard Tahiri nga radhët e PDK-së ka theksuar rëndësinë historike të 17-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Kosovës, duke e cilësuar atë si themelin juridik dhe politik të shtetit.
Tahiri tha se respektimi i Kushtetutës është thelbësor për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe stabile.
Megjithatë, ai ka kritikuar dy qeveritë e udhëhequra nga Albin Kurti, të cilat kanë kryer 11 shkelje kushtetuese në pesë vitet e fundit- sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, transmeton lajmi.net.
Tahiri ka shtuar se PDK ka dorëzuar 28 lëndë në Gjykatën Kushtetuese për të mbrojtur rendin kushtetues, duke theksuar se qëllimi i partisë është ruajtja e integritetit të shtetit, parandalimi i kapjes së institucioneve dhe mbrojtja e rendit demokratik.
Postimi i plotë:
Sot shënojmë një nga momentet më të rëndësishme në historinë shtetformuese të vendit tonë – 17-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kushtetuta është themeli juridik dhe politik i shtetit tonë. Respektimi i saj është i domosdoshëm për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të drejtë dhe të qëndrueshme.
Fatkeqësisht, kjo ditë e rëndësishme po shënohet në një realitet të hidhur:
Gjatë pesë viteve të fundit, dy qeveritë e udhëhequra nga Albin Kurti kanë bërë 11 shkelje kushtetuese:
2 në mandatin e parë
9 në mandatin e dytë
Të gjitha këto janë konstatuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe përbëjnë një precedent të rrezikshëm, që cenon rendin kushtetues të ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë.
Për të mbrojtur parimet dhe rendin kushtetues, Grupi Parlamentar i PDK-së ka dorëzuar:
28 lëndë në Gjykatën Kushtetuese gjatë këtyre pesë viteve.
Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet:
Ruajtja e integritetit të shtetit
Parandalimi i kapjes së institucioneve të pavarura
Mbrojtja e rendis demokratik
Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të Kushtetutës dhe rendit kushtetues – gjithmonë në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes evropiane të vendit./Lajmi.net/