Abdixhiku për çështjen e Tahirit në Vushtrri: Protagonizma kohë-humbëse, do të trajtohet qartë e drejt, menjëherë pas balotazhit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se fokusi i partisë më të vjetër në vend këto ditë “do të drejtohet vetëm për LDK-në” dhe “drejt garave tona”. Duke iu referuar marrëveshjes së koalicionit që kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri e nënshkroi me LVV-në pa miratim të partisë, ai tha se…

Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se fokusi i partisë më të vjetër në vend këto ditë “do të drejtohet vetëm për LDK-në” dhe “drejt garave tona”.
Duke iu referuar marrëveshjes së koalicionit që kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri e nënshkroi me LVV-në pa miratim të partisë, ai tha se është çështje që do të trajtohet “qartë e drejt” menjëherë pas 9 nëntorit.
“U mblodhëm sot, të gjithë bashkë, kandidatët e LDK-së që garojnë në raundin e dytë; raundin final, si parapërgatitje për 9 nëntorin. Çdo energji, çdo fokus, çdo aktivitet i LDK-së në këto ditë do të drejtohet vetëm për LDK-në. Do të drejtohet drejt garave tona; aty ku prijmë, aty ku garojmë, aty ku qytetarët tanë e presin fitoren e LDK-së. Dhe janë plot 9 komuna ku LDK sot garon; me 2 të fituara tashmë”, shkroi Abdixhiku.
“Këtu mbetet puna jonë. Kështu projektohet LDK-ja jonë. Për veten, për kandidatët tanë e fitoret tona. Çështjet tjera periferike, ato të pas humbjeve e protagonizmave kohë-humbëse, do të trajtohen menjëherë pas 9 nëntorit; dhe atë qartë e drejtë”, shtoi ai.
Abdixhiku kërkoi fitore në komunat ku LDK-ja garon në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale dhe falënderoi votuesit.
“Tani le të fitojmë. Në Prishtinë, Pejë, Fushë Kosovë, Gjilan, Viti, Obiliq, Junik, Dragash, Suharekë. Ju faleminderit, po ashtu të 180 mijë votuesve, përfshirë dhe ata në mërgatë, që po e vulosin LDK-në si parti të parë në këto zgjedhje lokale”.
Tahiri, i cili doli i treti në rundin e parë të zgjedhjeve lokale në Vushtrri, nënshkroi sot një marrëveshje koalicioni me LVV-në për rundin e dytë të votimit, pa miratimin e partisë së tij – LDK-së.