Abdixhiku: Ky është shantazh, Albin tërhiqu – mos na dërgo në zgjedhje, e ke mashtruar Vjosa Osmanin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar ashpër Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me iniciativën për votimin e ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje.

Lajme
Abdixhiku është shprehur se reforma është e nevojshme por duhet të ketë pajtueshmëri me të gjitha partitë politike në Kosovë, shkruan lajmi.net.
Më tutje, ai është shprehur se veprimet e sotme kanë të bëjnë me shantazh politik dhe gjithashtu për të nxitur krizë politike që të fshihet paaftësia e Kurtit të merret me problemet fundamentale e gjithashtu për të krijuar jo-stabilitet.
“Që të jem i qartë, Kosova ka nevojë për reformë zgjedhore, Kosova ka nevojë që ta bëjë sa më të lehtë votimin e mërgatës sonë, LDK i ka propozuar këto ndryshime shumë vite më parë, i ka mbështetur ato dje, dhe do t’i mbështetë gjithherë. Por reforma zgjedhore është çështje më e thellë sesa ndryshimi i një ligji, për mët epër një reformë e tillë bëhet me konsultime të thella dhe pajtueshmëri me të gjitha partitë politike parlamentare në Kosovë, jo vetëm aq, me shoqëri civile etj. Nuk bëhet reforma zgjedhore brenda natës, nuk bëhet natën. Bëhet vetëm nëse e përdor si shantazh, si kërcënim se qe çka ju pret në zgjedhje. Lëvizja Vetëvendosje dhe qeveria e LVV-së sot kanë përjashtuar opozitën nga proces që do të duhej të ishte rezultat i dakordimit politik. Me të vërtetë veprimet e sotme janë me qëllime të shantazhimit nga jnjë shumicë që posa e ka filluar mandatin e ka kuptuar se nuk po mund të merret me probleme fundamentale dhe s’është e zonja të qeverisë vendin. Veprimet e sotme po nxisin krizë politike, veprime të qëllimshme për të krijuar jo-stabilitet dhe kjo pa pikë nevoje.”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku gjithashtu është shprehur se LDK-ja ka dhënë konstruktivitet për çështjen e presidentit, por sipas tij Kurti e ka mendjen te zgjedhjet dhe shantazhi i sotëm tregon se ai nuk po dëshiron t’i zgjidhë problemet politike.
Më tutje, Abdixhiku është shprehur se ligji po përdoret si shantazh dhe më tutje është shprehur se nëse ligji nuk tërhiqet, vendi mund të shkojë në zgjedhje.
“LDK siç e dini ka marrë vendim të merr pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit, LDK si asnjëherë më parë pa kushte ka zgjatur dorën për konstruktivitet. Si duket as ky vendim nuk u ka mjaftuar sepse qëllimi ka qenë zgjedhjet sepse mendjen e keni pasë te zgjedhjet. Shantazhi i sotëm tregon se kryeministi ose nuk dëshiron të zgjidh këtë çështje, ose dëshiron jo-stabilitet politik për të fshehur paaftësitë. Në emër të LDK-së, duke pasur parasysh interesin e qytetarëve të Kosovës, ju bëj thirrje, të bëj thirrje Albin të tërheqësh këtë ligj. Duhet të punojmë bashkërisht për këtë ligj dhe për gjithë reformën zgjedhore. Duam t’i japim mërgatës lehtësim për të votuar, por mos e përdor si shantazh, mos e kërcëno opozitën, hap rrugë, t’i formojmë institucionet, t’i japim vendit stabilitet, të merremi me pandemi, të merremi me vaksinim e rimëkëmbje ekonomike. Kaq po kërkojm. Gabohesh nëse e mendon nënshhtrimin e opozitës dhe nëse mendon ta dëmtosh konstruktivitetin e LDK-së dhe e mashtron Vjosën që i ke thënë se do ta bësh presidente. Tërhiqe Ligjin, mos na dërgo në zgjedhje.”, tha Abdixhiku. /Lajmi.net/