Abdixhiku: Gjatë këtij viti, janë djegur 243 milionë euro për blerje të rrymës – Kosova meriton dritë, jo errësirën e aferave të tyre
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar Qeverinë për keqmenaxhim të sektorit energjetik, duke thënë se vendi po përballet me “skandalin më të madh energjetik” të këtyre viteve. Ai theksoi se kandidatet për deputete të LDK-së, Hykmete Bajrami dhe Janina Musliu, në konferencën e sotme kanë paraqitur të dhëna që sipas tij tregojnë se Kosova…
Lajme
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar Qeverinë për keqmenaxhim të sektorit energjetik, duke thënë se vendi po përballet me “skandalin më të madh energjetik” të këtyre viteve.
Ai theksoi se kandidatet për deputete të LDK-së, Hykmete Bajrami dhe Janina Musliu, në konferencën e sotme kanë paraqitur të dhëna që sipas tij tregojnë se Kosova ka importuar 811 milionë euro energji në pesë vitet e fundit, ndërsa vetëm këtë vit janë shpenzuar 243 milionë euro, transmeton lajmi.net.
Sipas Abdixhikut, shuma totale po i afrohet një miliardi euro, para që mund të ishin investuar në sektorë jetikë të vendit. Ai akuzoi Qeverinë se ka krijuar një “skeme të errët” prej së cilës përfiton “mafia energjetike”, ndërsa humb qytetari.
“LDK po e mbron interesin publik, sepse Kosova meriton dritë, jo errësirë”, u shpreh ai.
Postimi i plotë:
Ndërkohë që të tjerët merren me tema krejtësisht të parëndësishme për vendin, dy gra të forta të LDK-së, Hykmete dhe Janina, po merren me atë që është vërtet e rëndësishme: me skandalin e madh të mafias energjetike, me zinxhirin e përfituesve të saj, me Vuk Hamovićin në krye.
Në Konferencën e sotme, ato shpalosën qartë skandalin e madh energjetik në vend, që po gërryen fundamentet ekonomike të Republikës. Ky skandal duhet të jetë shqetësimi i sotëm politik; jo fyerjet që nuk sjellin asgjë.
Për pesë vite të popullistëve, Kosova ka importuar plot 811 milionë euro energji elektrike. Vetëm gjatë këtij viti, janë djegur 243 milionë euro për blerje të rrymës.
Po i afrohemi një miliard eurove import të rrymës; vendi më i varfër në Evropë. Një miliard euro që mund të ishin investuar në zhvillim, në prodhim, në shëndetësi, në bujqësi, në paga të mësimdhënësve dhe mjekëve.
Një miliard euro që ka shkuar drejt një skeme të errët, të pafalshme, nga e cila fiton mafia energjetike e humb qytetari i Kosovës.
LDK po e ngrit këtë çështje me guxim.
LDK po e mbron interesin publik.
Sepse Kosova meriton dritë, jo errësirën e aferave të tyre./lajmi.net/