Abdixhiku: Familja Jashari na mësoi se për çka jemi të gatshëm të sakrifikohemi, ata na krijuan ndërgjegjen kombëtare për luftën tonë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku sot në seancën solemne të Epopesë së UÇK-së, ka folur për sakrificën e familjes Jashari. Ai ka thënë se në historinë e njeriut dhe të kombeve, ka momente kur koha duket se ndalet, por sipas tij janë çaste të rralla kur historia nuk rrjedh më si vazhdimësi e zakonshme e…

Lajme

05/03/2026 11:04

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku sot në seancën solemne të Epopesë së UÇK-së, ka folur për sakrificën e familjes Jashari.

Ai ka thënë se në historinë e njeriut dhe të kombeve, ka momente kur koha duket se ndalet, por sipas tij janë çaste të rralla kur historia nuk rrjedh më si vazhdimësi e zakonshme e ditëve që koha si mban mend, por përqendrohet në një provë shumë të madhe morale.

“Këto prova të thella morale shtrojnë një dilemë sa të thjeshtë, aq edhe të rëndë për shumë gjenerata. Dilemën se për çka është një popull i gatshëm të jetojë, dhe për çka është i gatshëm të sakrifikoj.  Në ato çaste popujt nuk maten më me numra as me territore edhe më pak me forcë luftarake, por maten me shpirtin e tyre dhe me atë që ata e konsiderojnë të shenjtë, më të shenjtë se veten e tyre.  Në ato çaste vendimtare historia kërkon njerëz që e kuptojnë se jeta e tyre nuk iu përket më vetëm atyre, por është e destinuar për një fat kombëtar”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka shtuar se ata janë njerëz që ndoshta lindin si gjithë të tjerët e jetojnë si të tillë, por në por në momentin e provës revokale ngrihen mbi frikën, mbi instiktin e mbijetesës që mund ta kemi secili prej nesh dhe bëhen bartës të një përgjegjësie shumë më të madhe se jeta e tyre, pra sakrifikohen.

“Tani sakrifica është akt madhështor, më e madha që qenia njerëzore në tokë por edhe në raportin me vet Zotin mund ta ndërtoj. Sepse sakrifica nuk është humbje, është një formë e rrallë sepse përmes saj lind kuptimi më i thellë i një populli për veten.  Një popull e kupton jo vetëm për atë si jeton, por edhe për mënyrën se si një popull mund të sakrifikoj”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se dilemën e madhe morale se për çka jemi të gatshëm të sakrifikojmë, na e mësoi një familje shqiptare, familja Jashari në marsin e 1998-tës në Prekaz.

“Ata na thanë, ne jemi të gatshëm të flijohemi dhe përmes saj na krijuan ndërgjegjen kombëtare për luftën tonë çlirimtare. 28 vjet më pare mes thirrjeve të brezave në histori, në familjen Jashari, Adem Jashari, Hamzës Jashari, Shaban Jashari dhe 56 anëtarë të tjerë të familjes, të afërm e bashkëluftëtarë ranë në altarin e lirisë duke i dhënë popullit jo vetëm një histori sakrificë por edhe një thirrje nacionale për përmbushjen e një kërkese që s’mund të ndalej më.  Ademi jo vetëm për nga emri si përshkrim i një udhëzimi të marrë nga Zoti, është i pari që bëri hapin në një rrugë që nuk e shihte askush. Ndonëse kur flasim për Ademin, pra për të parin, shpesh ndalemi te momenti i tij i fundit, te beteja, te rrëfimi e te sakrifica, duhet të kujtojmë se figura e tij si pasqyrë e popullit të tij nuk fillon aty nga fundi. Përkundrazi, njerëzit që bëhen figura të historisë nuk lindin në çastin e fundit të jetës së tyre, ata formohen gjatë, në heshtje, në jetën e zakonshme të përditshme”, ka shtuar Abdixhiku. /Lajmi.net/