Abazoviq ia “pret” Kurtit muhabetin e Demarkacionit: Për Malin e Zi kjo çështje është e mbyllur

Kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i ka dërguar porosi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në lidhje me çështjen e Demarkacionit.

Lajme

10/05/2022 21:08

Abazoviq ka thënë se për Malin e Zi, çështja e Demarkacionit “është e mbyllur”, shkruan lajmi.net.

“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, ka thënë ai në Rubikon të Klan Kosovës.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë se ka shpresa që Qeveria e re në Mal të Zi do të bisedojë për çështjen e Demarkacionit.

“Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje. Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte për brenda elemente pro ruse, përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë. Ne kemi bërë mbledhje të përbashkëta të qeverisë me Maqedoninë e Veriut edhe me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi pasi të formohet qeveria e re”, kishte thënë Kurti. /Lajmi.net/