Abazi: Kurti i interesuar ta godasë Peci­n – është rritur shumë për një paranojak si Kurti

Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi ka ngritur akuza të rënda për korrupsion brenda Ministrisë së Bujqësisë, duke e drejtuar gishtin konkretisht ndaj ministrit Faton Peci dhe lidhjeve të tij me eksponentë të afërt të Lëvizjes Vetëvendosje. “Unë isha ndalë shumë shkurt te korrupsioni në Ministrinë e Bujqësisë, ku nuk mundem absolutisht mos me barazu krimin dhe korrupsionin…

Lajme

09/06/2025 18:47

Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi ka ngritur akuza të rënda për korrupsion brenda Ministrisë së Bujqësisë, duke e drejtuar gishtin konkretisht ndaj ministrit Faton Peci dhe lidhjeve të tij me eksponentë të afërt të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë isha ndalë shumë shkurt te korrupsioni në Ministrinë e Bujqësisë, ku nuk mundem absolutisht mos me barazu krimin dhe korrupsionin e brendshëm që e ka bërë Peci me subvencionet aty,” tha Abazi.

Ai theksoi se fondet publike janë shpërndarë në mënyrë të padrejtë dhe të përqendruar në rrethin e ngushtë të pushtetit:
“Dhënia e qindra mijëra eurove njerëzve të afërt me deputetë të Vetëvendosjes është fundi. Në bazë të standardeve dhe arsyeve pse janë votuar këta njerëz – kundrejt një retorike kundër korrupsionit në të kaluarën – do të duhej menjëherë të reagonin, të merrnin masa, dhe jo të heshtnin.”

Abazi përmendi gjithashtu raportimet për skandale të tjera që, sipas tij, e rëndojnë situatën:
“Me këto që dolën – për mbetjet shtazore, lidhjet me kompani serbe, punësimet nepotike – Peci del sikur është më i padituri i mundshëm kur vendos kush punësohet e kush jo.”

Në fund të deklaratës së tij, Abazi sugjeroi se prapa gjithë kësaj situate qëndron vetë Kryeministri Albin Kurti:
“Unë mendoj që vetë Kurti është i interesuar me godit Peci-n, sepse pas zgjedhjeve të fundit, me një numër votash që si duket është rritur shumë, për një paranojak siç është Kurti, kjo bëhet e rrezikshme”, tha Abazi në Dukagjin.