AARC: Partitë dhe liderët politikë në Kosovë të veprojnë me urgjencë për të rikthyer stabilitetin
Këshilli i Marrëdhënieve Shqipëtaro-Amerikane (AARC) ka shprehur shqetësim të thellë për krizën institucionale që vazhdon në Kosovë dhe që ka zgjatur më shumë se një vit. Sipas AARC-së, paaftësia e partive politike për të vendosur interesat kombëtare mbi agjendat partiake dhe rivalitetet personale ka zgjatur paralizën politike në një kohë kur Kosova duhet të forcojë…
Lajme
Këshilli i Marrëdhënieve Shqipëtaro-Amerikane (AARC) ka shprehur shqetësim të thellë për krizën institucionale që vazhdon në Kosovë dhe që ka zgjatur më shumë se një vit.
Sipas AARC-së, paaftësia e partive politike për të vendosur interesat kombëtare mbi agjendat partiake dhe rivalitetet personale ka zgjatur paralizën politike në një kohë kur Kosova duhet të forcojë institucionet e saj demokratike dhe pozicionin ndërkombëtar.
AARC thekson se përparimet e Kosovës që nga pavarësia, arritur përmes sakrificës, vendosmërisë dhe partneriteteve të forta me Shtetet e Bashkuara dhe botën demokratike, nuk duhet të rrezikohen nga lojërat politike apo dobësimi i institucioneve të shtetit.
Në një mjedis global gjithnjë e më të pasigurt, AARC nënvizon se Kosova duhet të tregojë se është një partner i fortë, i përgjegjshëm dhe i besueshëm për aleatët e saj. Sipas Këshillit, liderët politikë kanë detyrë të sigurojnë funksionimin efektiv të institucioneve demokratike dhe të vendosin interesin kombëtar mbi konsideratat partiake.
“Këshilli i Marrëdhënieve Shqipëri-Amerikane bën thirrje për të gjitha partitë dhe liderët politikë në Kosovë që të veprojnë me urgjencë dhe shtetërorësi për të përfunduar ngërçin aktual dhe për të rikthyer stabilitetin dhe funksionalitetin që qytetarët e Kosovës meritojnë”, thuhet në reagimin e AARC.