Këto ishin të veçantat e letrave të Trumpit për Thaçin dhe Vuçiqin

Administrata amerikane e vlerësoi Kosovën si shtet partner për jetësimin e paqes dhe stabilitetit në Evropë. Por, jo edhe Serbinë, sepse diçka e tillë nuk thuhej në letrën që presidenti Donald Trump ia kishte dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Lajme

25/12/2018 11:39

Letrat që javës së kaluar presidenti Trump u dërgoi Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në radhë të parë konfirmuan zotimin e kësaj administrate amerikane që të ndihmojë në mënyrë substanciale arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete.

Kjo thuhet shumë qartë në letrën e Trumpit për Vuçiqin, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes tyre.

Konstatimi i vazhdueshëm i presidentit Thaçi, por edhe i pothuajse të gjithë politikanëve relevantë shqiptarë të Kosovës, që pa SHBA-në nuk mund të ketë marrëveshje me Serbinë, me këtë adresim të veçantë të presidentit Trump, ka hasur në një mbështetje të plotë.

Kjo është administrata e pestë amerikane, e cila në harkun kohor 1992 – 2018  (që nga administrata e presidentit të parë Bush), për 26 vjet rresht është preokupuar me Kosovën.

Për më shumë, Uashingtoni ka luajtur rol vendimtar, në partneritetin me Aleancën Veriatlantike, në vitin 1999, në çlirimin e Kosovës, pas dështimit të Konferencës së Rambouilletit, dhe më pas SHBA-ja në bashkëpunim me BE-në, ka qenë faktori kyç për krijimin e shtetit të Kosovës, në procesin e Vjenës të prirë nga presidenti Ahtisaari.

Nga ky pikëshikim, administrata e Trumpit, e njohur ndryshe si një administratë që preferon një diskontinuitet me administratat paraprake amerikane, tregohet si vazhduese e përkushtimit të SHBA-së për Kosovën dhe për paqen në rajon.

Shenjat e para që do të ketë vazhdimësi në këtë aspekt ishin kuptuar në janarin e vitit të kaluar, gjatë provokimit/ testimit të qëllimshëm të autoriteteve më të larta të Serbisë me trenin laramanë që ishte nisur drejt Mitrovicës Veriore.

Megjithatë, ky përkushtim i qartë i administratës së presidentit Trump i shfaqur sërish përmes letrave dërguar presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, po ashtu shoqërohet me këmbënguljen e Uashingtonit zyrtar që të dy palët, ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike dhe ta bëjnë marrëveshjen, e cila pos të tjerash do të kurorëzohej edhe me një takim të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë të presidentëve Thaçi dhe Vuçiq me presidenin Trump.

Vetë qasja e Trumpit ndaj Thaçit dhe Vuçiqit përmes letrave të veçanta (jo me ndonjë cicërime presidenciale në rrjete sociale), në anën tjetër është dëshmi e matshme që kemi të bëjmë me një qëndrim të koordinuar të Shtëpisë së Bardhë dhe State Departmentit për zgjidhjen e çështjes së raporteve shumë problematike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sidoqoftë, kur të krahasohet përmbajtja e letrave të Trumpit për Thaçin dhe Vuçiqin, pos që do të gjinden pjesët dhe elementet e përbashkëta, po ashtu do të hetohen lehtë edhe detajet specifike apo të veçanta që u gjetën vetëm në këtë komunikimin e Presidentit të SHBA-së me Presidentin e Kosovës.

Ta zëmë, gjë që ka njëmend rëndësi shumë të madhe për Kosovën, për Trumpin ‘Kosova është një partner kritik në përpjekjet tona (të SHBA-së), për të garantuar paqen dhe stabilitetin për të gjithë Evropën’.

Pra, administrata e sotme amerikane e vlerëson Kosovën si shtet partner për jetësimin e paqes dhe stabilitetit në Evropë. Diçka e tillë nuk thuhet në letrën që Trump ia kishte dërguar Vuçiqit.

Ky vlerësim i Trumpit për Kosovën theksohet sërish në kryefjalën e parafundit të letrës së tij për presidentin Thaçi, kur ai thotë: ‘Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë në suksesin e Kosovës, si një shtet të pavarur dhe sovran. Ne duam që vendi i juaj të vazhdojë të zhvillohet’.

Është edhe një tjetër element specifik në këtë letër drejtuar presidentit Thaçi, kur presidenti Trump nxit Thaçin, por edhe liderët e Kosovës, për ta ‘shfrytëzuar këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe…’.

Natyrisht, administrata e sotme amerikane e di që uniteti i faktorit politik shqiptar është kusht pa të cilin nuk bën në krijimin e rrethanave për arritjen e marrëveshjes historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura.

Sidoqoftë, vetë mënyra sesi Trump i ishte drejtuar Thaçit dhe Vuçiqit, por edhe përmbajtja e këtyre letrave, nuk lë vend për kurrfarë dyshimi: SHBA-ja është në mënyrë jetike e interesuar që Kosova dhe Serbia ta bëjnë në muajt e ardhshëm marrëveshjen për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. /Lajmi.net/