AAK ngre alarm për probleme teknike në regjistrimin e votuesve jashtë vendit: Kërkon ndërhyrje urgjente të KQZ-së

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas raportimeve për vështirësi serioze në procesin e regjistrimit të votuesve nga diaspora për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në një komunikatë për media, Sekretari Organizativ i AAK-së për Diasporën, Sokol Mehmetaj, tha se shumë bashkatdhetarë po marrin përgjigje refuzuese nga…

Lajme

06/12/2025 13:58

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas raportimeve për vështirësi serioze në procesin e regjistrimit të votuesve nga diaspora për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në një komunikatë për media, Sekretari Organizativ i AAK-së për Diasporën, Sokol Mehmetaj, tha se shumë bashkatdhetarë po marrin përgjigje refuzuese nga KQZ, pavarësisht se kanë dorëzuar dokumente të plota dhe të rregullta, përfshirë mjetet e identifikimit dhe dëshmitë e adresës jashtë vendit, transmeton lajmi.net.

Sipas Mehmetajt, një numër i madh aplikimesh është refuzuar me arsyetimin se “adresa e deklaruar është e pasaktë”, ndonëse dokumentet e dorëzuara janë të sakta dhe të verifikueshme.

Ai theksoi se ka indikacione se problemi mund të jetë teknik dhe i brendshëm në sistemin e regjistrimit të KQZ-së, e jo gabim i qytetarëve.

AAK kërkon nga KQZ tre masa urgjente:
– Diagnostikimin dhe eliminimin e çdo defekti teknik në sistem;
– Rishqyrtimin e të gjitha aplikimeve të refuzuara pa bazë;
– Transparencë të plotë për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.

Mehmetaj paralajmëroi se afati për regjistrim po përfundon brenda pak orësh dhe kërkoi veprim të menjëhershëm të KQZ-së për të mbrojtur të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të votuar./lajmi.net/