AAK i përgjigjet Vetëvendosjes: Debatin e liderëve e ndaloi KPM, jo Ramush Haradinaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) thotë se debati i paralajmëruar ndërmjet kandidatëve për kryeministër të Kosovës, në Klan Kosova, është anuluar për shkak të një vendimi të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe jo nga Ramush Haradinaj.

Lajme

24/05/2017 12:39

Sipas tyre, çdo shpjegim tjetër i kundërshtarëve politikë është spekulim i pastër.

“Ne e kuptojmë luftën politike, por kur ajo ndërtohet mbi bazën e gënjeshtarëve është krejtësisht e papranueshme, dhe për qëllim ka manipulimin e opinionit publik”, thuhet në njoftimin e këtij subjekti politik.

Siç thuhet në njoftim, i nominuari për kryeministër Ramush Haradinaj, është i vendosur që të mos bjerë në kundërshtim me traditën e normativave dhe zgjedhjeve!

Kujtojmë se ballafaqimi i parë i kandidatëve për kryeministër vendi, i paraparë të mbahej të premten në Klan Kosova, është anuluar.

Ky debat, sipas televizionit, ishte anuluar për shkak të një njoftimi të Komisionit të Pavarur për Media në të cilën ky ballafaqim cilësohej i jashtëligjshëm në kuadër të fushatës zgjedhore.

Ndërkaq, zyrtarë nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë akuzuar liderin e AAK-së Ramush Haradinajn se ishte pikërisht ai, arsyeja që nuk u zhvillua debati.

Në deklaratat e tyre zyrtarët e VV-së e kanë quajtur Ramush Haradinajn të paguximshëm dhe të paaftë për t’u përballur me Albin Kurtin.