A rrezikohet Kosova nga gripi i shpendëve? Pse u ndal importi nga Brazili?

Mishi i pulës i ardhur nga Brazili, nuk do të lejohet të futet në Kosovë. Kështu ka vendosur të martën e 20 majit Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), pas shpërthimit të gripit të shpendëve në shtetin e Amerikës së Jugut. Vendimi i cili është i përkohshëm, u mor si një masë preventive kundër përhapjes…

Lajme

23/05/2025 19:49

Mishi i pulës i ardhur nga Brazili, nuk do të lejohet të futet në Kosovë.

Kështu ka vendosur të martën e 20 majit Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), pas shpërthimit të gripit të shpendëve në shtetin e Amerikës së Jugut.

Vendimi i cili është i përkohshëm, u mor si një masë preventive kundër përhapjes së mundshme të kësaj sëmundjeje në vendin tonë.

Ndonëse nuk është vërtetuar ende se konsumimi i mishit apo produkteve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, në njoftim thuhet se ky vendim është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve.

E këtë vendim të AUVK-ut e përkrah infektologu Shemsedin Dreshaj.

Megjithatë, një përparësi ai thotë se është fakti që në Kosovë deri sot nuk ka pasur asnjë rast të konfirmimit të infektimit me këtë virus.

Sidoqoftë, ai për Klanin apelon qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin tubimet.

Sipas sistemit të të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2024, Kosova ka importuar 39.1 milionë kilogramë mish pule, e nga e gjithë kjo sasi, vetëm nga Brazili janë importuar rreth 12.4 milionë kilogramë.

Ndërkaq, vetëm gjatë katërmujorit të parë të këtij viti, nga ky shtet, Kosova ka importuar 6.1 milionë kg mish pule, vlera e të cilave arrin në rreth 16 milionë euro.