A po rrezikohet skijimi nga mungesa e borës? Flet kryetari i Federatës së Skitarisë

Ka pak garues, e as me buxhet nuk qëndron mirë, por Kosova mund të mburret me faktin se në rajon është e para për nga potenciali i hapjes së pistave të skijimit. Andaj kreu Federatës së Skitarisë së Kosovës, Milaim Kelmendi, është optimist se ky sport ka të ardhme, pavarësisht kostos së lartë që ka…

Sport

18/01/2026 11:19

Ka pak garues, e as me buxhet nuk qëndron mirë, por Kosova mund të mburret me faktin se në rajon është e para për nga potenciali i hapjes së pistave të skijimit.

Andaj kreu Federatës së Skitarisë së Kosovës, Milaim Kelmendi, është optimist se ky sport ka të ardhme, pavarësisht kostos së lartë që ka ushtrimi i tij. Kelmendi:Kosova, kampione në Ballkan me potencialin e pistave të skijimit.

“Kosova ka potencialin më të madhin në Ballkan sa i përket pistave të skijimit. Do të thotë nuk asnjë shtet përreth nesh potencialin që e ka Kosova. Kështu që ne prapë po e potencoj që kemi arritur ta liçencojmë pistën e skijimit ‘Arxhena’ në Brod tri pista të skijimit, në Brezovicë kemi arritur t’i liçencojmë dy pista të skijimit, do të thotë ku edhe i plotësojnë kushtet, se pse aty hyn në rol edhe lartësia mbidetare ku është starti dhe ku është finishi. Do të thotë këto dy qendra të skijimit i kanë plotësuar kushtet për liçencimin e tyre”, bën të ditur Kelmendi.

Por, a ka Kosova hapësirë për të hapur edhe pista të tjera për skijim?

“Absolut po, do të thotë është Bjeshka e Belegut, është një pjesë e Shalës së Bajgorës atje, është pjesa e Brezovicës, zgjerimi i pjesës së anës së djathtë atje ku më duket që më herët ka filluar edhe të bëhet një studim i fizibilitetit, që pat qenë njëherë një zë që po vijnë disa francezë për investime në Brezovicë. Unë e di që janë bërë do studime atje për ta zgjeruar Brezovicën në anën e djathtë ku edhe lidhet me Prevallën atje. Do të thotë atje janë pista, kishin me qenë pista të jashtëzakonshme edhe më të gjata se këto që janë në Brezovicë”, vijon tutje Kelmendi.

Vecse, kur bëhet fjalë për përmasat e ushtrimit të këtij sporti, del se Kosova ende është prapa vendeve të tjera, si për nga numri i skitarëve, ashtu edhe i klubeve.

“I kemi të regjistruar diku 18 klube, por 12 prej tyre janë aktiv. Edhe janë aktiv me plot kuptimin e fjalës. Kështu që garues prapë mund të themi që i kemi diku 65-70 garues, po prapë është numër i vogël sa i përket statistikave tona, duke llogaritur edhe vendet që janë më të zhvilluara që i kanë nga 300, 400, 500 garues. Por edhe në ato vende të zhvilluara edhe atje është ekonomia më e mirë, më stabile, por çka është më me rëndësi do të thotë është që e kanë edhe infrastrukturën. E kanë infrastrukturën tamam si duhet, do të thotë që ne na mungon edhe sot ajo. Qysh pas gati 28 viteve që u formuam edhe u bëmë si shtet, do të thotë mungon infrastruktura”, thotë fillimisht Kelmendi.

Por, a mund ta rrezikojnë këtë sport, ndryshimet klimatike dhe mungesa eventuale e borës? Kelmendi siguron se teknologjia moderne ofron alternativa artificiale, që mundësojnë skijim, madje edhe gjatë verës.

“Tani ka dalë edhe metoda më e re e cila do të thotë Serbia e ka arritur e vetmja njëherë e për njëherë në Ballkan që i ka, i ka shtruar tepihat e skijimit. Është një tepih, do të thotë, me fibër, e cila do të thotë mund ta zgjasësh sa të duash kilometra, është e rrëshqitshme edhe është e menaxhueshme me ski. Do të thotë mund në brekë të shkurta, në maicë edhe tërë verën me bërë ski. Kështu që është një kosto tani shumë më e madhe ajo, por unë mendoj që më së pari ne duhet të fokusohemi te skijimi tamam origjinal me borën natyrale, nëse s’kemi atëherë e bëjmë edhe artificialen sepse i patëm mundësinë edhe i kemi mundësitë. Kështu që nëse krejt këto dështojnë do të kalojnë te një gjë tjetër që është artificiale” A do të thotë që nuk rrezikohet? “Jo, absolut jo. Nuk e shoh të rrezikuar”, theksoi Kelmendi.

Kelmendi pranon se skijimi është një sport shumë i shtrenjtë dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në numrin e vogël të garuesve.

Ai shpjegon se barrën kryesore financiare e mbajnë familjet, ndërsa përgatitja sezonale e një garuesi kërkon shpenzime të konsiderueshme, çka e bën këtë sport të paarritshëm për shumë fëmijë dhe të rinj. Skijimi mund të quhet “sport i të pasurve”.

“Realisht po, të them të drejtën po, edhe pikërisht këtu e shohim ne mungesën, mangësinë pak edhe të garuesve, do të thotë sepse gjendja financiare edhe te prindërit sepse këtu është familja ajo që ka mundësi ta përballojë…Janë një 30% që janë një mesatare edhe që shpenzojnë për fëmijët e tyre në sportin e skijimit, 70% tjetër janë të pasur. Kështu që këta që janë më të varfër do të thotë s’kanë mundësi absolut për ta zhvilluar sportin e skijimit, me vetë faktin që diku për ta përgatitur një garues tamam si duhet çdo sezon, pa e llogaritur dëmtimin e pajisjeve aty, do të thotë 2500 deri në 3000 euro, megjithatë skija profesionale, do të thotë është sport i shtrenjtë, shumë e vërtetë”, zbulon Kelmendi.

Vecse ky sport sjell përfitime goxha të mëdha për ata që janë të suksesshëm.

“Realisht kur ke sukses atëherë është gjithmonë profitabil edhe ka mundësi të bëhesh edhe milioner prej saj sepse suksesi yt do të thotë të bën të ngritesh atje që më të paktën krejt bota të të afrojë gjithë ata sponzorë, për shembull qysh i ka Shiffrin-i, kjo e Shqipërisë tash që i ka bërë tash veç milionat me sponzorë. Kështu që me momentin që ti arrin kulminacionin, atëherë gjithë sponzorët edhe vijnë lehtë vetë”, tha në fund Kelmendi. Sipas Kelmendit, investimi në potencialin e skijimit, do të hapte rrugë për organizimin në Kosovë të kampionateve ballkanike e evropiane për këtë disiplinë sportive./kp