A mund ta ndryshojnë historinë e UÇK-së deklaratat e James Rubin, flet Ramë Buja

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ramë Buja, ka reaguar pas dëshmisë së ish-zyrtarit amerikan James Rubin në Hagë, duke thënë se ajo është një dëshmi e qartë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e pastër. “Pa e vërtetuar që lufta e UÇK-së ishte e pastër si kristali,…

Lajme

21/09/2025 22:49

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ramë Buja, ka reaguar pas dëshmisë së ish-zyrtarit amerikan James Rubin në Hagë, duke thënë se ajo është një dëshmi e qartë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e pastër.

“Pa e vërtetuar që lufta e UÇK-së ishte e pastër si kristali, nuk do të kishin ndërmarrë intervenimin për ta ndihmuar Kosovën të fitojë lirinë. Tash janë përrallisje, janë stisje, trille… nuk e di a e kanë kuzhinën në Beograd apo Moskë, por dihet që s’është e vërteta”, tha Buja në emisionin Personale në Tv Dukagjini.

Ai theksoi se dëshmia e Rubin, dhënë me autorizim të Departamentit Amerikan të Shtetit, ka peshë të madhe dhe se bashkë me dëshmitë e tjera që do të pasojnë, do të ndihmojë në sqarimin e realitetit për luftën e UÇK-së.

Buja gjithashtu kritikoi Gjykatën Speciale, duke e cilësuar si një gjykatë “një-etnike” dhe me bazë politike:
“Do të ishte logjike të bëhej një gjykatë për krimet e luftës në Kosovë, pa dallim, e jo ekskluzivisht për një etni. Ne kemi bindur strukturën më të madhe politike dhe ushtarake të botës që të na ndihmojë, dhe kjo ndihmë erdhi për shkak të pastërtisë sonë.”

Ai përmendi edhe figurën e Adem Demaçit, si moralin dhe ideologun më të madh të popullit shqiptar në rrugën drejt lirisë:
“Sa shumë ia lëvizën në eshtrat Adem Demaçit duke ia përmendur emrin kaq shumë. Ai ka qenë figura morale dhe ideologjike e këtij populli, që gjithmonë synonte lirinë.”

Buja shprehu bindjen se e vërteta do të dalë në pah dhe se dëshmia e Rubin është një hap i madh për të ndryshuar perceptimet e padrejta ndaj UÇK-së.