​A ka humbje të mjeteve financiare në Fondi i Kursimeve Pensionale, flasin nga Trusti

Fondi për Kursime Pensionale të Kosovës (Trust), deri më 4 prill të këtij viti ka pasur nën menaxhim 3 miliardë e 34 milionë euro, derisa në fund të dhjetorit të vitit 2024, ky fond ka qenë në vlerë prej 3 miliardë e 181 milionë euro. Fitimet e Trustit nga investimet në tregjet ndërkombëtare shihet se…

Lajme

10/04/2025 16:36

Fondi për Kursime Pensionale të Kosovës (Trust), deri më 4 prill të këtij viti ka pasur nën menaxhim 3 miliardë e 34 milionë euro, derisa në fund të dhjetorit të vitit 2024, ky fond ka qenë në vlerë prej 3 miliardë e 181 milionë euro. Fitimet e Trustit nga investimet në tregjet ndërkombëtare shihet se kanë një luhatje, (me një diferencë minus 147 milionë euro).

Për këtë përformancë sot KosovaPress ka kontaktuar me zyrtarë të Trust-it, mirëpo të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin për diferencën e mjeteve financiare dhe sa po rrezikohen mjetet e kursimtarëve kosovarë si rrjedhojë e krizës globale (në tregjet ndërkombëtare).

Zyrtarë të Trustit kanë thënë se nesër do të dalin me një raport sqarues lidhur me fondin e Trustit. Po ashtu dje dhe sot është raportuar në media se ka pasur “rënie të mjeteve të Trustit të investuara në tregjet ndërkombëtare”. Mësohet se kriza globale ka ndikuar negativisht në investimet e mjeteve të Trustit.

Në anën tjetër kryesuesi i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust), Emanuel Bajra ka thënë ditë më parë se nuk ka nevojë për shqetësim. Ai ka thënë se “këto janë rënie momentale të tregut që dikur e marrin edhe tatëpjetën”.

“Kontributet nuk preken, për shkak se kontributet që jepen në Trust investohen. Vlera e investimeve nëse e shohim lakoren e ngritjes së investimeve që nga viti 2002 kur është themeluar Fondi Pensional gati 1 miliardë e kemi arrit kthimin, aty ku ka luhatje vjen momenti kur ka shembull rënie, ka momente kur ka ringritje. Sepse zakonisht diskursi ka qenë në Kosovë në veçanti humbje, humbje Trusti, nuk janë këto humbje, këto janë rënie momentale të tregut që dikur e marrin edhe tatëpjetën. Fundi fundit më mirë është të investosh në tregje se t’i mbash paratë në bankë, për shkak se është ajo teoria e akumulimit të vlerës së parasë, një 100 euro sot, nuk e ka vlerën e njëjtë sikur do ta ketë në vitin 2035, apo 2040…08:25 Nuk ka vend për shqetësim, ngritje, rëniet janë pjesë normale e tregjeve, kështu ne jemi të diversifikum, kështu nuk ka vend për shqetësim”, thotë Bajra.

Ndryshe mendon, njohësi për çështje të ekonomisë, Adem Qorrolli.

Adem Qorroli thekson se të vetmet investime jashtë vendit janë paratë e Trustit dhe sipas tij, “ky devlalvim i tregut apo kjo rrezikshmëri e tregut do ta kap pjesën e përfitimeve të Trustit”.

Ai thekson se ka rrezik të madh që sipas tij, të ketë një humbje edhe më të madhe mjeteve të fitutara nga investimet të Trustit.

“Tarifat nga ShBA-të tashmë kanë dhënë frytet e veta dhe sigurisht shtetet me konkurrencën ma të madhe do të kenë edhe pasoja më të mëdha, dhe shtetet me industri më të fortë sigurisht do të kenë edhe pasoja industriale. Kurse vendet e varfra apo vendet që nuk kanë industri të zhvilluar, sigurisht do t’i ndjekin kostot e veta, këtë e reflekton edhe Kosova. Ku të vetmet investime jashtë vendit janë paratë e Trustit dhe sigurisht ky devlalvim i tregut apo kjo rrezikshmeri e tregut do ta kap edhe pjesën e tregut, apo pjesën e përfitimeve te Trustit që realisht është një rrezikshmëri e madhe që të ketë një humbje edhe të madhe”, thotë Qorrolli.

Mësohet se numri i llogaritë aktive në vitin 2024 ishte mbi 400 mijë.

Ndryshe, presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se po aplikon një pauzë 90-ditore për tarifat e reja pasi lufta e tij tregtare trondit ekonominë botërore, por nuk ishte menjëherë e qartë se për cilat vende do të zbatohej pauza. Në të njëjtën kohë, Trump njoftoi se po rriste normat e tarifave ndaj Kinës në 125 për qind.