A ka ftesa të reja nga Gjykata Speciale? Tregojnë avokatët

Gjykata Speciale ka filluar t’i bëjë ftesat e para për intervistim.

Lajme

18/12/2018 21:17

Formimi i Ushtrisë së Kosovës sikur e largoi vëmendjen dhe e la nën hije bujën e madhe që bënë këto ftesa në publik.

Mirëpo kujtojmë se të ftuarit e parë të Speciales që janë bërë publik janë, Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Nazif Mehmeti, Remzi Shala, Safet Syla, Sokol Dobruna dhe Sebahajdin Cena, shkruan lajmi.net.

Për të pyetur nëse ka ftesa të reja dhe për rrjedhën e punës në Gjykatën Speciale lajmi.net ka kontaktuar me Tahir Rrecajn, avokat i akredituar i Gjykatës Speciale dhe avokati i Nazif Mehmetit.

Ai për lajmi.net është shprehur se nuk ka thirrje të reja pos atyre që janë publike.

Në anën tjetër, Arianit Koci, avokati i Rrustem Mustafës, e që është i akredituar nga Gjykata Speciale, tha për lajmi.net se nuk dihet zyrtarisht nëse ka ftesa të reja.

“Dhe, sa i përket numrit të të ftuarve nga Gjykata Speciale nuk dihet dhe të gjitha janë spekulime”, tha Koci për lajmi.net

Avokati tjetër i akredituar nga Gjykata Speciale, Tomë Gashi për lajmi.net tha se përveç ndryshimit të mënyrës së të thirrurit nuk ka informata për thirrje të reja.

“Vetëm që është ndryshu mënyra e të thirrurit. Unë nuk kam pranuar që klientët e mi të thirren përmes telefonit, por të bëhet ftesa e rregullt me materiale përcjellëse për ta ditur se në çfarë cilësore po thirret dikush dhe jo të merret në pyetje pa e ditur.

E në lidhje me numrin e të ftuarve nga Specialja, Gashi tha se ka informata se është një numër i madh që do të informohen.

“Numri i tyre nuk mund të përcaktohet dhe arsyeja kryesore është sepse Gjykata Speciale nuk e ka kohën për periudhën që do të jetë funksionale, është e papërcaktuar dhe krimet e supozuara janë ato që kanë ndodhur nga viti 1998 deri në vitin 2000. Kështu që raporti i Dick Martyt e determinon një pjesë të madhe të të intervistuarve”. /Lajmi.net/