A do të ndikojë në procesin e liberalizimit kthimi i kosovarëve nga Siria?

Kthimi i kosovarëve nga Siria, është parë si rrezik nga një parti franceze, madje partia djathtiste ‘Debout le France’, ka kërkuar izolimin e Kosovës.

Lajme

25/04/2019 19:00

Më 19 prill të këtij viti 110 kosovarë janë kthyer nga zonat e luftës në Siri, përfshirë në mesin e tyre edhe luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, 9 nga të cilët kishin humbur prindërit në luftë.

Pavarësisht se shumica e aleatëve të Kosovës e përkrahën dhe i përgëzuan autoritetet për kthimin e tyre, është partia e djathtë franceze, “Debout le France”, e cila e ka kundërshtuar kthimin e kosovarëve nga zonat e luftës në Siri.

Sipas tyre, vendimi për të kthyer nga Siria gjithë ata qytetarë dërgon edhe një sinjal të keq drejt Evropës, pasi që Kosova tashmë është duke pritur liberalizimin e vizave.

Kjo sipas partisë djathtiste, “Debout le France”, pasi që Kosova refuzon çfarëdo konsultimi me vendet e Bashkimit Evropian për çështjen e xhihadistëve dhe sigurisë së kontinentit të vjetër.

“Sot, Kosova refuzon çdo konsultim me Bashkimin Evropian për të ardhmen e xhihadistëve dhe sigurinë e kontinentit”, thuhej në reagimin e partisë djathtiste franceze, shkruan lajmi.net.

“Debout le France”, madje ka bërë thirrje që Franca të kundërshtojë fuqishëm në Parlamentin Evropian dhe Bashkimin Evropian, çfarëdo veprimi në favor të pranimit të Kosovës.

“Qëndrimi i Francës është i vendosur të kundërshtojë fuqishëm Parlamentin Evropian dhe Bashkimin Evropian për çdo veprim në favor të pranimit të Kosovës në BE”, thuhet ndër të tjera  në reagimin e “Debout le France”.

Mirëpo, këto thirrje të partisë djathtiste franceze, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, më shumë i sheh si politike dhe fushatë për zgjedhjet në Parlamentin Evropian.

Hoxha në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se kthimi i kosovarëve nga Siria nuk do të ndikojë aspak në procesin e liberalizimit të vizave.

“Nuk e besoj se mund të ndikojë kthimi shtetasve tanë nga zonat e luftës, përkundrazi, është zhvilluar në bashkëpunim të plotë nga aleati ynë. Konsideroj se proceset tjera rreth tyre mund të japin reflektime të mëtejshme, pozitive siç janë masat e rehabilitimit, ri-integrimit dhe trajtimit të grave dhe fëmijëve, vazhdimisht në frymën më pozitive dhe vlerave që ne synojmë, integruese euro-atlantike. Nuk pres që ky reagim nga Franca tejkalon vështrimin e partive politike për motive të politikës ditore dhe fushatës për zgjedhjet e Parlamentit Evropian, dhe nuk pres të ketë pasoja në procesin e liberalizimit të vizave apo procesit integrues”, ka deklaruar Hoxha për lajmi.net.

Donika Emini nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se, gjasat që kthimi i kosovarëve të kthyer nga Siria të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave dhe procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian, janë shumë të vogla, pasi që sipas Eminit, Kosova edhe ashtu ka shumë pak prespektivë për anëtarësim në BE dhe se siç u shpreh ajo, janë problemet e tjera politike që vendin tonë e mbajnë larg këtij procesi.

“Sa i përket liberalizmit të vizave, ky proces është bllokuar për shkak të qendrimeve të Gjermanisë e Francës që kanë për sundimin e ligjit në Kosovë dhe migrimit. Kjo çështje padyshim që do të përdoret nga partite e djathat, e njëjta ndodhi edhe me Shqipërinë për nivelin e krimit të organizuar dhe mafias, mirëpo ende është herët të dihet se sa ndikon fakti që kosovarët jane kthyer në këto dy procese. Kosova gjithmonë ka qenë shembull i mirë për mënyrën se si ka vepruar në lidhje me këtë fenomen, andaj besoj që menaxhimi i mirë i kësaj situate do të ishte një plus i madh për Kosovën, sidomos kur bëhet fjalë për ndarjen e ekspertizës dhe eksperiencave të tilla me vendet e BE-së. Shumë vende të BE-së si Gjermania e Danimarka, janë duke i sofistikuar programet e tyre për re-integrim, andaj Kosova nuk është e vetme në këtë proces”, ka deklaruar Emini për lajmi.net.

Në anën tjetër edhe njohësi çështjeve të integrimeve evropiane, Avni Mazrreku, shprehet skeptik që kthimi kosovarëve nga Siria mund të ndikojë në procesin e liberalizmit të vizave.

Mazrreku ka thënë se jo çdo qëndrim i partive politike të ndonjë shteti, në këtë rast të Francës është edhe qëndrim zyrtar i atij shteti.

“Nëse i referohemi qëndrimit të partive të caktuara politike që janë parti parlamentare në njërin nga vendet anëtare të BE-së, ato dallojnë sa i përket qëndrimit, partitë politike dallojnë sa i përket qëndrimit të tyre prej politikës siç njihet prej politikës së tyre të hapura, përkatësisht çështjes së kontrollit kufitar. Normalisht çështjet që kanë të bëjnë me ISIS-in, me eventualisht participimin prej ndonjërës prej organizatave të tilla të kualifikuara si organizata terroriste të shtetasve të Kosovës dhe mënyra se si institucionet e Kosovës e trajtojnë krejt këtë proces apo ta quajmë edhe fenomen në tërësi, mundet me pas eventualisht ndikime të caktuara në proceset që lidhen me Kosovën, procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE, që është diçka shumë e largët, normalisht kuptohet se Kosova nuk mundet të ketë as ambicie imagjinare që anëtarësohet në BE përderisa nuk e njohin edhe pesë shtetet që janë anëtare të saj e nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, është shprehur Mazrreku.

Ai ka thënë se frika që mund të ketë ndonjë shtet për procesin e liberalizimit që ka të bëj në lidhje me kthimin e qytetarëve nga Siria, është për shkak të kontrollit kufitar.

Mazrreku ka thënë se deri më tani, pas kthimit të 110 kosovarëve nga Siria, Qeveria franceze nuk ka thënë ndonjë qëndrim zyrtar lidhur me atë çfarë ka deklaruar partia djathtiste.

“Normalisht te procesi i liberalizmit të vizave shumë ndikon apo ka ndikim esencial çështja e kontrollit kufitar edhe çështja e kontrollit të qytetarëve apo njerëzit që lëvizin brenda këtyre territoreve, por unë isha rezervu me e komentu qëndrimin e ndonjë partie të caktuar qoftë të Francës apo ndonjë shteti tjetër. Ndërkaq qëndrimin e Francës, në këtë rast për çështjen e liberalizimit të vizave nuk e artikulon një parti e caktuar e Francës në parlamentin evropian, por e artikulon qeveria e Francës në këtë rast. Unë deri më tani nuk kam parë ndonjë qëndrim zyrtar të qeverisë franceze lidhur me këtë çështje që kthimi i këtyre njerëzve mund të ndikojë në voton pro apo kundër të Francës për liberalizmin e vizave për Kosovën”, ka deklaruar Mazrreku për lajmi.net.

Ndryshe autoritetet e Kosovës në orët e vona të së premtes kanë kthyer në Kosovë 110 kosovarë nga zonat e luftës në Siri, përfshirë në mesin e tyre edhe luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, 9 nga të cilët kishin humbur prindërit në luftë.

Pas kthimit të tyre, katër burra janë arrestuar dhe njëri prej tyre është i mitur, nën dyshimin se kanë qenë luftëtar në zonat e luftës në Siri, ndërkaq për 19 gra është kërkuar arrest shtëpiak. /Lajmi.net/