A do të ketë zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut?
Opozita shqiptare, Fronti Evropian i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Lidhja Social-Demokrate maqedonase (LSDM) janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që do të mbaheshin vjeshtën e ardhshme bashkë me ato lokale. Njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut kanë ndarë opinione të ndryshme lidhur me paralajmërimet për zgjedhje. Disa…
Lajme
Opozita shqiptare, Fronti Evropian i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Lidhja Social-Demokrate maqedonase (LSDM) janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që do të mbaheshin vjeshtën e ardhshme bashkë me ato lokale.
Njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut kanë ndarë opinione të ndryshme lidhur me paralajmërimet për zgjedhje. Disa e konsiderojnë të “pashmangshme” punën e zgjedhjeve, ndërsa të tjerët e vlerësojnë si një “mundësi minimale”.
Çështja e zgjedhjeve të parakohshme u bë temë e diskutimit pas pyetjeve të ngritura nga deputetët e opozitës në Kuvend të enjten e kaluar. Ata i bënë thirrje kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski të tërhiqet, duke theksuar se ai “i ka shkelur të gjitha premtimet”.
Kurse, Mickoski, nga Kuvendi tha: “Nëse dëshironi të shkojmë në zgjedhje, të vërtetohet që së bashku me zgjedhjet lokale të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nëse dëshironi, menjëherë tani ta dakordojmë punën. Por, do të ngulfateni në thellësinë, ku ju dërgojnë”.
Sefer Tahiri, profesor në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore, konsideron se pas deklaratës së kreut të Qeverisë, zgjedhjet janë të pashmangshme.
“Në demokracitë parlamentare, është rregull që opozita kërkon zgjedhje. Por, kësaj radhe, ishte pushteti, përkatësisht kryeministri Hristijan Mickoski, pavarësisht nëse e ka bërë me apo pa konsultim me partnerët e koalicionit qeveritar. Pas pranimit të konceptit të zgjedhjeve të parakohshme nga opozita maqedonase dhe opozita shqiptare, (Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët – krahu i Zijadin Selës), zgjedhjet janë të pashmangshme. Ato konsideroj se do të mbahen. Këtë e thotë çdo logjikë normale demokratike e shteteve të civilizuara”, shprehet Tahiri për Radion Evropa e Lirë.
Por, ndryshe mendon Petar Arsovski, njohës i çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut. Ai beson se gjasat për zgjedhje të dyfishta, parlamentare të parakohshme, së bashku me ato lokale, janë minimale, pasi nuk ka ndryshime të mëdha në sondazhe.
“Mendoj se tani për tani e gjithë kjo mbetet një folklor politik, por nuk e përjashtoj mundësinë, nëse ka ndonjë tronditje më serioze në skenën politike, për shembull, zgjidhja e çështjes së negociatave me BE-në me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, e të tjera, që kjo të riafirmohet edhe përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por, tani për tani për këtë nuk ka kurrfarë paralajmërimi”, shprehet Arsovski për Radion Evropa e Lirë.
VLEN kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare
Nga koalicioni shqiptar VLEN, pjesë e Qeverisë, thanë se Maqedonia e Veriut kurrë nuk ka pasur qeveri më stabile.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti tha se deklarata e Mickoskit është nxjerrë jashtë kontekstit.
“Është nxjerrë nga konteksti. Kur të kesh shumicë prej 80 deputetëve nuk ka nevojë për të menduar për zgjedhje të parakohshme, sepse ky është vetëm shpenzim për shtetin dhe humbje kohe”, u shpreh Mexhiti.
Kujt i leverdis më shumë?
Arsovski thekson se sipas shifrave aktuale, përbërja e re e Kuvendit nuk do të dallojë shumë nga kjo përbërje që kemi tani. Madje, siç thotë ai, “pushtetit mund t’i sjellë edhe ndonjë deputet më shumë”.
“Në thelb, nuk di se çfarë do të ndryshonin zgjedhjet e parakohshme?! Duhet të keni arsye përse po i organizoni ato. Prandaj, zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk i sjellin ndonjë ndryshim të madh as pushtetit e as opozitës”, vlerëson Arsovski.
Por, profesori Tahiri mendon se zgjedhjet, para së gjithash, do t’i shkonin për shtati opozitës, edhe pse siç thotë “u iniciuan dhe, dhe në një mënyrë, u provokuan nga pushteti”.
“Ajo që dihet është se ndoshta parlamenti i ardhshëm, pas këtyre zgjedhjeve, do të jetë më laraman. Do të ketë shpërndarje të fuqisë politike në kuptimin e fitimit të numrave të deputetëve nga partitë parlamentare”, thekson Tahiri.
Aktualisht, shumica parlamentare numëron 78 deputetë nga 120 gjithsej sa ka Kuvendi. Qeveria aktuale përbëhet nga VMRO DPMNE-ja, koalicioni i partive shqiptare VLEN dhe partia ZNAM. REL