Thellë dhe me të parën

Hashim Thaçi është i bindur se me Agim Aliun, PDK në Ferizaj do ta ketë një fitore të thellë, që në raundin e parë. Atje, premtoi Univeristet.

Lajme

10/10/2013 17:59

Hashim Thaçi pret fitore në qytetin e Ferizajt.

Në hapjen e fushatës në këtë Komunë, të enjten, Lideri i PDK’së ka shprehur besimin e plotë se atje balotazh nuk do të ketë.

Ai i ofroi mbështetje Kandidatit të PDK’së, Agim Aliu, duke thënë se është njeriu i duhur për Ferizajn Europian.

“Jemi sot këtu për të dhënë  një mesazh, për zotimin tonë për një fitore që në raundin e pare të Agim Aliut. Jemi këtu për të mbështetur të gjitha projektet e Kryetarit. Zotohem se do të keni mbështetje e Qeverise për të gjitha projektet për Ferizajin Europian”, ka deklaruar Thaçi.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me këmbëngulje për Ferizajn e ri, Ferizajn si qytet ekonomik. Në Ferizaj presim fitore spektakulare, sepse ju keni realizuar më shumë projekte sesa keni premtuar.”

“Andaj, punë të mbarë dhe fitore të thellë”, ka uruar Thaçi për Kandidatin e PDK’së në Ferizaj.

Thaçi ka premtuar se në vitin e ardhshëm, Ferizaj do të bëhet me Univesrsitet Publik, e po ashtu ka thënë se do të ndërtohet autostrada Ferizaj-Kaçanik- Hani i Elezit, si dhe magjistralja deri në Brezovicë.

“Më 3 nëntor do të kemi festën e madhe për Ferizajn, ju do të jeni qendër e komunikimit mes Prishtinës dhe Shkupit, për zhvillimin e biznesit”.

Ai, po ashtu, ka folur edhe për PDK’në, duke e quajtur si partinë më stabile në Kosovë dhe Rajon.

“Ndihem mirë dhe krenar që jam Lider i PDK’së. Jam mirënjohës për mbështetjen dhe besimin që për 14 vjet na keni dhënë, sepse PDK është partia më e fuqishme jo vetëm në Republikën e Kosovës, është partia më stabile dhe më e organizuar në Rajon.”

“Me fitoren e PDK’së, ka fituar Kosova, ka fituar pavarësinë dhe 104 njohje. Ajo ka fituar, por dhe i ka shërbyer çdo qytetari në çdo cep të vendit tonë.”

Kandidati për Ferizajn, Agim Aliu, i ra shkurt. Tha se fitorja e tij nuk diskutohet, sepse ai ka punuar për Ferizajn Europian.

“Fitorja jone nuk diskutohet, ne vetëm duam që ajo  të jetë një mesazh i besimit qytetar. Ne besojmë në kapacitet tona, në Ferizajn Europian, një qytet elitar.”

“Komuna jonë është funksionale, me të gjitha elementet ekonomike dhe strukturore. Do të ngrisim cilësinë e parakushteve të zhvillimit të ekonomisë. Do ndërtojmë politika lehtësuese për punësimin e qytetarëve dhe të rinjve.”

“Ferizaj po plotëson pamjen e tij funksionale dhe qytetare. Do të krijojmë të gjitha kushtet e shpërfaqjes së të gjitha potencialeve tona. Ne do bëjmë identitetin e munguar të qytetit të Ferizajt.”