Kthehet në punë Blloku B1 i Kosovës B

Blloku B1, i cili gjatë mëngjesit të sotshëm ka rënë nga sistemi, është rikthyer në punë, duke hequr reduktimet nga shumë qytete e fshatra të Kosovës

Lajme

12/04/2014 18:58

Pas përpjekjeve të shumta që ka bërë njësia gjeneruese B1, në Termocentralin Kosova B ka rifilluar prodhimi i energjisë elektrike.

Edmond Nulleshi, drejtor i serviseve në KEDS, ka thënë për KosovaPress se në një afat rekord është arritur të kthehet në punë njësia B1.

Ndërsa në një njoftim të kësaj korporate, thuhet se për më pak se 12 orë punë, qytetarëve u është kthyer furnizimi me energji nga kjo njësi.

“Si rezultat i një angazhimi të palodhshëm dhe përkushtimi të jashtëzakonshëm të punëtorëve të Termocentralit Kosova B, me një dinamike të përshpejtuar, për më pak se 12 orë kanë përfunduar me sukses të gjitha veprimet e domosdoshme teknike në njësinë B1”, thuhet në njoftim të KEK-ut.

Sipas këtij njoftimi, pritet që sonte para orëve te konsumit maksimal, njësia B1 të kthehet në operim të plotë.

Me këtë, KEK-u thotë se ka arritur që të ua mundësojë bartësit të licencës (KEDS) ofrimin e një furnizimi stabil sipas planit.

“Në këtë rast duhet sqaruar se në vijë me nivelin e stabilizimit të arritur vitin e kaluar, brenda afatit rekord, KEK kthen nivelin e prodhimit konform bilancit elektro-energjetik. SI rrjedhim, brenda ditës, KEK ia mundëson bartësit te licencës ( KEDS) ofrimin e një furnizimi stabil sipas planit”, thuhet më tutje në njoftim.