Thaçi vizitoi fabrikën e ‘farmerkave’ të familjes Destani
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka vizituar të martën fabrikën e tekstilit “Kosovatex” në Prishtinë, ku është pritur nga menaxhmenti i kësaj fabrike dhe është njoftuar me punën dhe suksesin e kësaj fabrike, si dhe për planet investuese.
Lajme
Pas takimit, Thaçi, i shoqëruar nga drejtori i Grupit Ekolog për rajonin, pjesë e të cilit është edhe “Kosovatex”, Abdylmenaf Bexheti, kanë vizituar repartet prodhuese të veshjeve dhe janë takuar me punëtorët e fabrikës, informon KosovaPress.
Kryeministri e ka vlerësuar lartë punën e “Kosovatex”-it dhe e ka quajtur një prej bizneseve më të suksesshme dhe më të fuqishme të Republikës së Kosovës, biznes ky i familjes Destani.
Ai ka bërë të ditur se kjo familje ka hapur rreth 500 vende të reja të punës në Kosovë, 300 prej tyre këtu në “Kosovatex”, në fabrikën e prodhimit të xhinseve, ku rreth 80 për qind e të punësuarve janë femra, me rroga solide dhe të vlerësuara.
Thaçi ka thënë se Qeverisë i mbetet për detyrë të thellojë edhe më shumë bashkëpunimin me komunitetin e biznesit.
“Qeveria e Kosovës do të punojë për krijimin e kushteve dhe klimës edhe më të mirë për biznesin kosovar, gjithashtu edhe për atë që vjen në Kosovë nga jashtë”, ka thënë kreu i qeverisë.
Abdylmenaf Bexheti, në emër të investitorit, Lazim Destani, falënderoi kryeministrin Thaçi për mbështetjen institucionale dhe personale, duke theksuar se kjo fabrikë është edhe një investim me motive të gjenerimit të vendeve të punës.