PDK nuk shqetësohet nga lëvizjet në Gjilan dhe Viti
Basri Musmurati nga PDK, thotë se ndryshimet që kanë ndodhur në Gjilan dhe Viti nuk pritet të reflektojnë edhe në degët tjera, ku kjo parti i ka humbur zgjedhjet. Ndërsa për ata që janë larguar, mendon se e kanë ndjerë vetën përgjegjës për humbje.
Lajme
Sekretari i Përgjithshëm i PDK’së, Basri Musmurati, thotë se nuk do të ketë ndryshime tjera në strukturat udhëheqëse të degëve të PDK’së, ashtu siç ka ndodhur me rajonin e Anamoravës.
Musmurati deklaroi për Epoka e Re se ndryshimet që kanë ndodhur në udhëheqjen e degës së Gjilanit dhe të Vitisë, nuk pritet që të reflektojnë edhe në degët tjera ku kanë dështuar në zgjedhjet e fundit lokale.
Sipas tij, këto ndryshime kanë ndodhur për shkak se ata persona e kanë ndjerë vetën përgjegjës për humbje.
“Kryetari i Degës në Gjilan ka dhënë dorëheqje, por ka mbetur në kryesi dhe do ta vazhdojë punën sepse në njëfarë mënyre ka konsideruar se edhe ai ka pak përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve të kaluara. Megjithatë, aty është një homogjenitet i plotë i tyre dhe tani e kanë bërë një potez të qëlluar dhe presim stabilitet dhe punë të jashtëzakonshme në ato degë”.
Ai ka vlerësuar se veprime të tilla nuk do të ndodhin në degët e PDK-së në Mitrovicë, Ferizaj, Lipjan dhe Malishevë sepse, sipas tij, këto degë janë mjaft të konsoliduara dhe të afta të korrin fitore në zgjedhjet nacionale.
“Jo, nuk presim që në degët e tjera të ketë këso lëvizje, sepse ato degë janë stabilizuar. Për shembull, në Mitrovicë ne si subjekt kemi qenë mbi 20 për qind para kandidatit. Po ashtu, edhe në Ferizaj e Lipjan kemi qenë shumë para kandidatëve të cilët kanë fituar. Kështu që, nuk është e nevojshme të ketë ndryshime”.
“Krahas këtyre figurave të vjetra, në ato degë kanë ardhur edhe njerëz të ri, të cilët janë inkuadruar në parti, pra janë zgjeruar kryesitë dhe po vazhdojnë punën. Ne vetëm në Gjilan dhe Viti kemi pasur një rokadë të vogël, ndërsa degët e tjera janë në rregull.
“Edhe në Gjilan ata që kanë ardhur janë të njëjtit që kanë qenë në kryesi, njerëz të sprovuar në aktivitet, njerëz që kanë punuar dhe kanë pasur rezultate”, tha Musmurati për Epoka e Re.