Gjakova me performancë, Hani i Elezit me transparencë

KDI ka monitoruar mbajtjen e premtimeve të 16 kryetarëve të komunave. Komuna e Gjakovës dhe ajo e Mitrovicës kanë pasur performancën më të mirë. Hani i Elezit është Komuna më transparente sa i përket publikimit të dokumenteve të rëndësishme.

Lajme

01/04/2014 11:21

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë monitorimin e realizimit të premtimeve të 16 kryetarëve të komunave, në 100  ditët e tyre të para.

Menaxheri i projektit, Jetmir Bakija tha se transparenca dhe llogaridhënia e kryetarëve të komunave kanë qenë dy komponentët kryesor të monitorimit.

Ai tha se janë marrë disa nga premtimet kryesore dhe janë parë nëse ka pasur ndonjë lëvizje në atë drejtim.

Duke folur se cilat komuna kanë pasur performacë më të mirë, Bakija tha se Komuna e Mitrovicës dhe ajo e Gjakovës janë dy komuna që është vërejtur një përmirësim.

“Këtë 100 ditësh vlenë të theksohet ndoshta Komuna e Mitrovicës dhe Komuna e Gjakovës që të paktën krahasimisht me atë çfarë ka qenë ka përmirësim të dukshëm”.

“Në Gjakovë ka takim me qytetarët dhe me mediat. Mirëpo prapë këto dy komuna nuk qëndrojmë mirë në disa dokumentet bazike në ueb-faqet e tyre”.

Duke folur për premtimet e mbajtura dhe ato që nuk ende janë në letër, Bakija tha se Kryetari i Mitrovicës deri më tani ka filluar të realizojë tre premtime.

“Në Komunën e Mitrovicës, vlerësojmë se stimulimi i bizneseve dhe krijimi i kushteve për thithje të investimeve në fakt ka mbetur premtim në letër gjatë këtij 100 ditshi”.

“Po ashtu, kryetari sa ka qenë kandidat ka premtuar 15 mijë vende pune mirëpo deri tani janë realizuar vetëm 200”.

“Po ashtu edhe ndërtimi i fabrikave të kërpudhave ka mbetur premtim në letër edhe pse ka lëvizë diçka aty me makina, mirëpo nuk ka filluar realizimi i këtyre premtimeve”.

“Premtimet e para që i ka filluar t’i realizojë kryetari i Mitrovicës është dhënia e pagës së tij ëpr 10 studentët më të dalluar. Dhurimi i makinës së kryetarit shoqatave në përdorim i është dhënë. Po ashtu është parë një efikasitet më i madh në administratë, ku puna zhvillohet deri në pra 19:00 me ndërrime”.

Ndërkaq, Krytetarja e Gjakovës deri më tani nuk ka realizuar katër premtime dhe tre të tjera ka filluar t’i realizojë.

“Premtimi për zhvillimin e programeve dhe bursave për ndërmarrësi dhe inovacion në Universitetin e Gjakovës ende është premtim në letër. Po ashtu ndërtimi i parqeve dhe mbjellja e fidanëve në tërë Komunën akoma nuk është realizuar. Një premtim tjetër i parealizuar është edhe shenjëzimi i shtigjeve sportive dhe turistike. Po ashtu premtimi i Kryetares së Gjakovës për pikat grumbulluese të qumështit si dhe krijimi e brendit të produkteve “Gjakova Quality” nuk është realizuar”.

“Ndërsa janë realizuar disa premtime që janë bërë gjatë fushatës, siç ka qenë Konferenca e Donatorëve, ka filluar të planifikohet Fondi për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, si dhe ka pasur përmirësim në përfshirjen e qytetarëve në planifikime të ndryshme të projekteve të ndryshme”.

Naim Cahani nga KDI që mirret me monitorimit e komunave të regjionit të Prizrenit ka thënë se këto komuna kanë pasur perfomancën më të dobët gjatë këtyre 100 ditëve të para të qeverisjes.

“Po flas për regjionin e Prizrenit ku konsiderohen si komunat më të dobëta, Mamusha, Dragashi janë dy komunat me performacën më të dobët sa i përket transparencës dhe llogaridhënies”.

KDI i ka kushtuar një rëndësi të veçantë monitorimit të transparencës përmes internetit, apo publikimeve të dokumenteve të rëndësishme nëpër ueb-faqet e komunave.

Nga dokumentet me rëndësi, Buxheti i 2014-ës mungon në 21 komuna, plani zhvillimor urban mungon në 23 komuna, procesverbalet e seancave mungojnë në 28 komuna, aktet komunale mungojnë në 30 komuna, vendimet e komunës mungojnë në 19 komuna.

Ndërkaq, llogaridhënia e kryetarëve po ashtu është monitoruar. Takime  e kryetarëve të komuave me qytetarëve kanë ndodhur vetëm në 11 komuna. Diskutime publike janë zhvilluar vetëm në 8 komuna, dëgjime buxhetore nuk ka pasur në asnjë komunë dhe raportim të rregullt me media ka pasur vetëm në një Komunë.