Dacic: Do të diskutojmë për numrin deputetëve serbë

Ivica Dacic thotë se në takimin e së hënës në Bruksel, do të diskutohet për numrin e deputetëve serbë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës. Sipas tij, temë tjetër në këtë raund të dialogut do të jenë edhe gjyqësori e Asociacioni i Komunave Serbe.

Lajme

29/03/2014 20:06

Kryeministri në ikje i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se në raundin e radhës së dialogut në Bruksel do të diskutohet kryesisht për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.

Dacic së bashku me zëvendësin e tij aktual, Aleksadnar Vucic, do të udhëtojnë nesër për në Bruksel, ku do të marrin pjesë në takimin e së hënës me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton.

Ai në një prononcim për mediat serbe, tha se në raundin e radhës së dialogut në Bruksel do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura.

“Do të hapen shumë tema që janë pjesë e dialogut. Na presin bisedime të vështira lidhur me ato çështje që nuk kemi arritur deri më tani t’i implementojmë”.

“Në Kosovë fillojnë përgatitjet për Zgjedhjet Parlamentare. Për ne është shumë me rëndësi çështja se kush do të votojë, sa do të jetë numri i deputetëve serbë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës, pjesëmarrja e serbëve në institucione qeverisëse të Kosovës. Gjithashtu, do të jetë gjyqësore, konstituimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe shumë tema tjera”, ka thënë Dacic.