Jahjaga nuk është kundër Tribunalit

Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se Kosova duhet ta përmbyllë një herë e përgjithmonë konfliktin me Serbinë. Ajo ka thënë se për këtë, dialogu është e vetmja mundësi.

Lajme

26/03/2014 14:17

Në një intervistë për Gazetën Experess, presidentja Jahjaga ka thënë se dialogu është e vetmja mundësi për të dyja vendet, që t’i zgjidhin çështjet e hapura si parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Jahjaga po ashtu ka thënë se Kosova është përcaktuar të bashkëpunojë me drejtësinë ndërkombëtare për dënimin e krimeve të luftës.

“Ne kemi kërkuar drejtësi për të gjithë dhe jemi përcaktuar që të bashkëpunojmë me drejtësinë ndërkombëtare duke u bërë shembull për tërë rajonin dhe duke dëshmuar gatishmërinë tonë si shtet dhe shoqëri për t’i përmbushur obligimet tona ndaj drejtësisë, duke përcaktuar përgjegjësinë individuale dhe duke mbyllur këtë kapitull përgjithmonë”.

“Jemi të bindur se kjo është rruga e vetme për t’iu mbetur besnik idealeve dhe vlerave mbi të cilat po e ndërtojmë Kosovën. Qëllimi i luftës së Kosovës mbetet qëllim fisnik për çlirimin e një populli të shtypur nga represioni dhe ajo përpjekje kolektive për liri do të vazhdojë të mbetet fisnike”, ka thënë Jahjaga.

Jahjaga po ashtu ka thënë se mirëpret vendimin e kryeministrit Hashim Thaçi për përjashtimin e pozitave politike nga rritja e pagave.

Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu:

http://www.gazetaexpress.com/intervista/interviste-me-atifete-jahjagen-une-presidente-deri-me-2016-5031/