Njësia B2 e Kosovës B pritet të rikthehet në operim të hënën, KEK nervozohet me mediat: Mos e paraqitni si kolaps energjetik

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se punimet për sanimin e defektit në njësinë B2 të Termocentralit “Kosova B” po vazhdojnë me ritëm të përshpejtuar, ndërsa rikthimi i saj në funksion pritet të bëhet mëngjesin e së hënës, më 26 tetor. Sipas KEK-ut, bazuar në vlerësimet aktuale dhe dinamikën e punimeve, sanimi i defektit…

Lajme

24/10/2026 19:43

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se punimet për sanimin e defektit në njësinë B2 të Termocentralit “Kosova B” po vazhdojnë me ritëm të përshpejtuar, ndërsa rikthimi i saj në funksion pritet të bëhet mëngjesin e së hënës, më 26 tetor.

Sipas KEK-ut, bazuar në vlerësimet aktuale dhe dinamikën e punimeve, sanimi i defektit pritet të përfundojë deri të dielën në mbrëmje, transmeton lajmi.net.

Në një komunikatë për media, KEK-u ka theksuar se defektet teknike janë dukuri që mund të paraqiten në çdo termocentral, përfshirë edhe ato që përdorin teknologji më të re se kapacitetet prodhuese që operojnë në Kosovë.

Korporata ka reaguar edhe ndaj raportimeve që ndaljen e njësisë B2 e kanë cilësuar si “kolaps energjetik”, duke kundërshtuar, siç ka thënë, krijimin e narrativave alarmuese pa të dhëna dhe analiza të verifikuara.

“Paraqitja e një ndaljeje të kontrolluar teknike si ‘kolaps energjetik’, e shoqëruar me prognoza për humbje milionëshe, pa të dhëna dhe analiza të verifikuara, nuk i kontribuon informimit të drejtë dhe objektiv të opinionit publik”, thuhet në reagimin e KEK-ut.

Në komunikatë, korporata ka vënë në pah edhe punën e stafit teknik dhe të punonjësve të tjerë, të cilët angazhohen vazhdimisht për të siguruar funksionimin e kapaciteteve prodhuese dhe furnizimin me energji elektrike.

Sipas KEK-ut, inxhinierët dhe profesionistët e saj punojnë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, shpesh në kushte të vështira teknike dhe operative, për të ruajtur vazhdimësinë e prodhimit.

Korporata ka theksuar se mirëpret kritikat konstruktive dhe interesimin e mediave e të publikut, por ka kërkuar që çështjet që lidhen me prodhimin dhe sigurinë energjetike të trajtohen me përgjegjësi dhe mbi bazën e fakteve të verifikuara.

Në fund, KEK-u ka ritheksuar përkushtimin për operim të sigurt dhe të qëndrueshëm të kapaciteteve prodhuese, duke bërë të ditur se publiku do të informohet me kohë për rikthimin e njësisë B2 në funksion./lajmi.net/