Me projekt për luftimin e korrupsionit

Trajnimi i trajnerëve, zhvillimi i kampanjave publicitare dhe ngritja e kapaciteteve të stafit, janë disa prej pikave që Ministria e Drejtësisë synon të ndihmojnë në zbatimin e projektit për luftimin e korrupsionit.

Lajme

17/03/2014 16:29

Luftimi i korrupsionit ka qenë temë kryesore e takimit të ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe zyrtarit të drejtësisë nga UNODS, Jason Reichelt.

Përmes implementimit të këtij projekti, këto dy institucione synojnë që tu ofrojnë mbështetje edhe më të madhe gjyqësorit dhe prokurorisë në luftimin e korrupsionit.

Ministri Kuçi ka potencuar me këtë rast se lufta kundër Korrupsionit është një nga prioritetet për Qeverinë e Kosovës dhe me interes për tëre institucionet dhe shoqërinë e Kosovës në përgjithësi.

“Ne si Ministri e Drejtësisë kemi punuar në hartimin e legjislacionit të duhur për të krijuar kushte adekuate për prokurorët dhe gjyqtarët, duke ashpërsuar dënimet për veprat penale me Kodin e ri Penal dhe duke lehtësuar procedurat me Kodin e Procedurës Penale”, ka thënë Kuçi.

Sipas tij, është punuar edhe për krijimin e një strukture adekuate për funksionimin e këtyre institucioneve.

“Ajo çka është veçanërisht e rëndësishme tani është zbatimi i këtyre dispozitave në praktikë nga ana e institucioneve përkatëse”, ka thënë Kuçi.

Ndërsa nga ana e tyre, UNODS ka treguar se përmes këtij projekti, do të mbështesin ngritjen e kapaciteteve dhe mekanizmave të brendshëm të korrupsionit dhe disiplinimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për veprat të korrupsionit dhe aftësimin e mëtejmë të gjyqësorit që t’i hetojë dhe ndjekë penalisht rastet e korrupsionit jashtë gjyqësorit.

Ndërsa garantimi i mandatit të përjetshëm dhe paga dinjitoze, sipas ministrit Kuçi, janë dy hapat më të rëndësishëm në kuadër të reformës në drejtësi, përmes të cilës është shënuar një progres drejt një gjyqësori të pavarur. Kosovapress