Fotografia e Gjilanit
Qemajl Mustafa kërkon të votohet për herë të tretë si Kryetar i Gjilanit. Thotë se e ka nxjerr qytetin nga balta. Kundërshton akuzat e Lutfi Hazirit dhe pohon se e ka bindur Hashim Thaçin që Gjilani ka qenë i diskriminuar me buxhet.
Lajme
Para katër vjetësh, kur kërkonte të rivotohej për Kryetar të Gjilanit, Qemajl Mustafa në sallën e mbushur me simpatizantë të PDK’së u kishte dhënë një mesazh të pazakontë qytetarëve të tij: të fotografohen me Gjilanin në prapavijë, sepse katër vjet më pas nuk do ta njohin atë.
Ja ku janë katër vjet më pas, edhe Qemajl Mustafa edhe Gjilani.
I pari me katër vjet më shumë përvojë politike në krye të qytetit dhe me ambicie për një mandat të tretë.
E qyteti, sipas tij, me një pamje krejtësisht tjetër.
“E kemi gjetur komunën në baltë dhe e kemi hequr komunën plotësisht nga balta. Sot nuk ka më baltë në komunën tonë. E kemi nxjerrë komunën nga terri. E kemi ndriçuar maksimalisht, por ende ka nevojë”, thotë Mustafa, në një intervistë për lajmi.net.
“Ne i kemi shëruar plagët nga marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe ndërpolitike, dhe kemi vazhduar si një shoqëri e mirëfilltë demokratike me shumë tolerancë”.
Mustafa është vetëm njëri nga çeta e kryetarëve të komunave të PDK’së të cilët janë zgjedhur në vitin 2007 dhe që u është besuar edhe një provë e tretë për t’u dëshmuar.
Por, për të ardhur deri te kandidimi i tretë, ai ka kaluar nëpër një siklet goxha të madh, pasi që dy pretendentë të tjerë, Izmi Zeka dhe Zenun Pajaziti, kërkonin t’ia prenin rrugën.
Tash kur ka marrë bekimin e partisë, Qemajl Mustafës i duhet të përballet me pasojat që ka shkaktuar kjo situatë brenda partisë së tij.
“Po, pak është dëmtuar procesi, por mendoj që është shumë e përkohshme kjo. Por, sondazhet e kanë treguar që kandidati me më shumë gjasa jam unë”.
Edhe nëse e ka neutralizuar konkurrencën nga brenda, së jashtmi Mustafës i duhet t’i përvjelë mëngët gjatë fushatës.
LDK’ja ia ka vënë përballë Lutfi Hazirin, i cili ka drejtuar komunën e Gjilanit për pesë vjet rresht (2000- 2005).
Një ditë më parë, Haziri e kishte akuzuar të parin se e ka zhytur komunën në borxhe.
Qemajl Mustafa e mohon kategorikisht këtë.
“Borxhet janë diku rreth 2.5 milionë dhe për një komunë të madhe nuk janë kurrfarë borxhesh. Ai nuk e di që ndërkohë unë kam marrë 1 milion euro prej rishikimit të buxhetit dhe 500 mijë të tjera për shpronësime në projektin Mirusha”.
Në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, Mustafa thotë se ka një varg planesh për komunën e Gjilanit. Ndër to, përmend trajtimin e rrjetit të kanalizimit dhe ndërtimin e fabrikës së ujit të pijes, e deri te përmirësimi i hapësirave të gjelbra brenda qytetit.
E për t’i realizuar këto, atij i duhet një Qeveri Qendrore më dorëlirë ndaj Gjilanit se që ka qenë deri më tani.
Mustafa thotë se i ka dhënë vërejtje Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se po e diskriminon komunën, ndërsa ky i fundit e ka pranuar publikisht një fakt të tillë dhe ka premtuar mbështetje më të madhe në periudhën në vazhdim.
“Nuk e kemi pasur trajtimin e duhur… ndoshta më shumë ka marrë Ferizaj. Mitrovica ka marrë shumë më shumë se Gjilani. E vërteta është që këto dy vjet e gjysmë të fundit ne kemi pak më pak ardhje të milionëve të Qeverisë”.
Janë gjilanasit ata që vendosin nëse do t’ia mundësojnë Mustafës t’i drejtojë ata edhe për katër vjet.
Ai nuk ka dilema rreth fundit të procesit zgjedhor.
“Hiç nuk është e çuditshme që ne do të fitojmë edhe pa balotazh. Por edhe nëse ka balotazh, diferenca do të jetë e konsiderueshme.”