Koordinim për veriun

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, thotë se mbajtja e zgjedhjeve në veri është një prej detyrave të Kosovës për ta futur nën sovranitetin e saj veriun. Por, sipas tij, nuk është zgjidhja e vetme.

Lajme

24/09/2013 09:02

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, kërkon nga Qeveria e Kosovës të ketë koordinim me institucionet ndërkombëtare të sigurisë, për të siguruar rendin dhe ligjin në veri.

Nënkryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, deklaroi për “Epoka e Re”, se kjo lëvizje disa herë deri tash ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta ndërrojë qasjen për veriun.

“Një prej gabimeve të kësaj Qeverie që ka sjellë pasoja në veri është mosbashkëpunimi i duhur me institucionet ndërkombëtare, sidomos me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, në veçanti me KFOR’in”.

“Kemi kërkuar disa herë që Qeveria ta ndërrojë qasjen për veriun, por nuk e ka bërë një gjë të tillë. Tashmë jemi në një fazë tjetër ku para se të kërkojmë nga Qeveria ta ndërrojë qasjen për veriun, ne duhet të kërkojmë që Qeveria të ndërrojë si e tillë”.

Mbajtja e zgjedhjeve në veri, sipas tij, është një prej detyrave të Kosovës për ta futur nën sovranitetin e saj veriun por, nuk është zgjidhja e vetme.

“Për të futur nën sovranitet veriun do të duhej të aplikoheshin të gjitha detyrat e Republikës së Kosovës dhe mbajtja e zgjedhjeve është njëra prej këtyre detyrave. Por, prapëseprapë mendoj se Kosova ka shans të bëjë zgjedhje dhe zgjidhje, mirëpo zgjidhja nuk vjen vetëm nga këto zgjedhje”.