FAK do të jetë forcë fleksibile

Deputeti Behar Selimi mendon se Kosova ka nevojë për një Forcë të Armatosur e cila do të mbronte integritetin territorial. Me 10 mijë ushtarë, të pajisur me një armatim të lehtë dhe anëtare e NATO’s pas pesë vitesh.

Lajme

21/02/2014 07:15

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Behar Selimi (PDK) ka thënë se emërtimi i forcave të armatosura të një vendi nuk ka rëndësi, por e rëndësishme sipas tij është misioni, strukturimi dhe kapacitetet.

“Mendoj se emërtimi është tipik se si i duhet vendit tonë dhe si i tillë përcakton dhe përkufizon një armatë të nevojshme në bazë të nevoja tona. Mendojë se emërtimet nuk reflektojnë shumë fuqinë e një ushtrie apo të forcës së një vendi. Në të kaluarën ka qenë më e rëndësishme se si emërtohet një forcë”.

“Më e rëndësishme se emërtimi është strukturimi, kapacitetet dhe aftësia operuese e Forcave të Armatosura në të ardhmen”.

Duke folur për “Epoka e Re”, Selimi ka thënë se Forcat e Armatosura të Kosovës duhet të kënë për mision mbrojtjen e integritetit territorial. Ai mendoj se FAK mund të ketë 10 mijë ushtarë, dhe të ketë armatim të lehtë, por të jetë një forcë fleksibile, që mund t’i përgjigjet sulmeve të çastit.

“Së pari mendoj se Forcat e Armatosura të Kosovës duhet të kenë misionin e njëjtë siç e kanë forcat e armatosura  të shteteve anëtare të NATO’s dhe ky mision është mbrotja e integriteti territorial. Pra, misioni i kësaj force duhet të jetë mbrotja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.

“Kurse sa i përket strukturimit, mendoj se ne nuk kemi shumë fuqi ekonomike, financiare, por as nuk kemi nevojë për një forcë numerikisht të madhe”.

“Mendoj se me 10 mijë pjesëtar profesionalë dhe të specializuar të veprimtarive të ndryshme të mbrojtjes do të përbënin një forcë të lëvizshme, fleksibile, e cila do të ishte e aftë t’u përgjigjet sulmeve të çastit”.

“Unë nuk jam për një forcë të madhe, të shtrenjtë dhe të armatosur rënd sepse synimi ynë është integrimi në NATO”.

“Nuk na duhet armatim i rënd, nuk na duhen shpenzime për aeroplanë, tanke, topa apo rakethedhës. Mund të kemi një armatim të lehtë. Mendoj se duhet të kemi një flotë ajrore me një kortezh shumë operativ të standardeve të NATO’s”.

Deputeti Behar Selimi beson se pas pesë vitesh, Forca e Armatosur e Kosovës do të bëhet anëtare e NATO’s.

“Kjo është më tepër një çështje e mundësive, por besoj se në pesë vjetët e ardhshëm do të kemi një forcë të armatosur, anëtare të NATO’s dhe e gatshme për ta mbrojtur territorin e vendit”.