Grabovci: Limaj e Krasniqi janë konsumuar, PDK do energji të reja

Kryesia e PDK’së diskutoi sot çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet në Kosovë. Adem Grabovci tha se PDK nuk shqetësohet për largimin e Limajt e Krasniqit nga partia. Madje thotë se ata dy janë konsumuar në politikë dhe PDK’së “i duhen energji të reja”.

Lajme

18/02/2014 16:49

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka diskutuar sot për çështjet në agjendën politike të vendit, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, ka thënë pas këtij takimi për Kosovapress se kjo ka qenë një mbledhje e zakonshme e kryesisë së partisë, e cila, është e para që mbahet që nga koha kur dy eksponentët e deritanishëm të PDK’së, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, zyrtarizuan largimin nga kjo parti.

Por për Grabovcin, largimi i Limajt dhe Krasniqit nuk është i pakompensueshëm.

Ai tha se fitorja e PDK’së në zgjedhjet e ardhshme është e sigurt, jo për interesin e partisë, apo për interesin e lidershipit, por, sipas tij, për hir të qytetarëve të vendit dhe mbylljes me sukses të proceseve të filluara nga PDKja dhe lideri i saj Hashim Thaçi.

“Ishte një mbledhje e zakonshme e kryesisë së PDK’së të cilat i mbajmë çdo herë. Zakonisht këtu bëhet edhe koordinimi i aktiviteteve tona ndër institucionale, edhe ndër partiake, gjithsesi. Dhe normalisht se i është bërë një analizë zgjedhjeve të kaluara”, tha Grabovci për Kosovapress.

“Janë identifikuar dobësitë që e kanë përcjell PDK-në. Është vërejtur dhe kemi ardhur në përfundim se është e domosdoshme një mobilizim dhe angazhimi shtuar me qëllim të thellimit të fitores së PDK-së edhe në zgjedhjet e radhës”, tha Grabovci.

Duke folur për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Grabovci u shpreh se Kryeministri Thaçi është marrë vesh me përfaqësuesit e partive politike se së pari duhet të përfundoj reforma dhe pastaj të flitet për datën e zgjedhjeve.

Ai tha se vjeshta e këtij viti është afati i rregullt i mbajtjes së zgjedhjeve dhe mund ta quajnë edhe afat të rregullt qoftë në qershor, qoftë shtator, mbajtjen e tyre.

“Por ajo që është me rëndësi se i dhamë mbështetje informatës të kryetarit të partisë për takimin që është bërë, për marrëveshjen që është arritur dhe e ka mbështetje. Dhe u mbështet se së pari duhet të vij ligji në mars, pastaj të procedohet dhe të ndiqet procedura. Por ajo çka është me e rëndësishme se ne jemi duke e bërë një mobilizim të gjitha strukturave të PDK-së. Thjesht ne nuk dyshojmë aspak në fitoren e radhës së PDK-së, por ne dëshirojmë që ky rezultat të jetë sa më i thellë”, tha ai.

I pyetur se a e kanë diskutuar në strukturat e larta të partisë, hyrjen në zgjedhje, pa Limajn dhe Krasniqin, dy nga njerëzit më të votuar në këtë parti, tha se njerëzit kanë nevojë për energji të reja e jo të konsumuara.

“PDK do të hyjë e konsoliduar në zgjedhje. Ne jetojmë në kushtet e demokracisë, gjithsecili bën zgjedhjen e vet të lirë. Ajo që mund të them është se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për ide të reja, kanë nevojë për njerëz të rinj, për energji të reja dhe kurrsesi nuk do të lejojmë të kthehen mbrapa tek energjitë e konsumuara. Por, ato energji të reja, koncept të ri, thjeshtë evropian e kanë gjetur dhe e kanë tek PDK-ja”, tha Grabovci.