Të hapen dosjet e shërbimeve sekrete

Rexhep Selimi thotë se dosjet e shërbimeve sekrete duhet të hapen. Ahmet Isufi thotë se është naive të mendohet se edhe sot nuk ka “spiunë” në Kosovë. Sadri Ferati dhe Fadil Demaku mendojnë se duhet ndaluar përfshirja e këtyre personave në institucione.

Lajme

07/02/2014 21:30

Deklarimet e disa personave që kanë qenë pjesë e shërbimit sekret serb UDB, kanë ngjallur shumë reagime në opinionin publik.

Kosova ende nuk ka ligjin për lustracion, i cili do të mund të rregullonte këtë çështje, duke bërë të mundur që të identifikoheshin të gjithë personat e përfshirë në këto shërbime.

Për këtë çështje, në emisionin “Debat” në RTK, kanë folur deputetët Rexhep Selimi, Ahmet Isufi, Sadri Ferati dhe Fadil Demaku.

Çështje imediate duket të jetë hapja e dosjeve dhe verifikimi i saktësisë së informacioneve.

Deputeti Rexhep Selimi thotë se Kosova nuk ka frikë që të hapen dosjet, por problemi qëndron se këto dosje nuk janë në Kosovë. Ai shprehet se bashkëpunëtorë të UDB’së ende ka në Kosovë.

“Dosjet i kemi në Serbi dhe kjo krijon njëfarë varësie nga Serbia, që nuk do të duhej të ishte kështu. Nuk mendoj se Serbia është e gatshme që këto dosje t’ia japë Kosovës”.

“Jam partizan i hapjeve të dosjeve, por nuk jam për hapjen e dosjeve selektive. Nuk duhet që t’i lihet situata opinionit, që t’i lihet në dorë manipulimit e keqpërdorimit. Kosova ka njerëz që flasin, ka njerëz që dinë për këtë çështje”.

Ndërkaq, Sadri Ferati mendon se personat që dinë diçka, është mirë që ato informacione t’i thonë në organet përkatëse. Ai thotë se institucionet e Kosovës duhet t’i kenë nën vëzhgim këta persona, në mënyrë që ata të mos “angazhohen” sërish nga dikush dhe t’i bëjnë dëm Kosovës.

“Të gjithë ata njerëz që dinë diçka, është mirë ta thonë atë. Është mirë të shkojnë në institucionet e specializuara dhe ta thonë informatën”.

“Dhe ata persona duhet të përcillen, sepse ne nuk e dimë se në cilin moment këta persona mund të angazhohen nga dikush dhe mund të na bëjnë dëm”,

Deputeti i PDK’së, Fadil Demaku, në vijim të debatit në  emisionin “Debat” në RTK, deklaroi se gjëja e parë që duhet të bëjnë institucionet përkatëse është që të hetohet saktësia e informacioneve.

Ai thotë se është e rëndësishme që personat që kanë qenë në shërbime sekrete, të mos kenë pozita nëpër institucione.

“Ne si institucione jemi në vështirësi sa i përket verifikimit të qartë të të gjithë elementeve që mund të jenë”.

“E rëndësishme është që struktura të tilla të mos futen brenda institcuoneve tona. Mbi të gjitha, është e rëndësishme sa ne kemi mekanizma ligjorë të cilët merren me trajtimin e çështjeve të tilla”.

“Ne na duhet një vullnet shumë i madh i institucioneve vendore që t’i trajtojnë këto çështje”.

“Këta njerëz është e rëndësishme që të mos na infiltrohen në institucione”.

Deputeti Ahmet Isufi, ndërkaq, thotë se hapja e dosjeve do të bëhet herët apo vonë. Ai mendon se është naive të mendohet se edhe sot UDB nuk ka bashkëpunëtorë në Kosovë.

“Hapja e dosjeve duhet të bëhet. Dhe, hapja e tyre herdokur do të bëhet.”

“Është naive të mendohet se në të kaluarën nuk ka pasur shërbime sekrete serbe në të gjitha strukturat e Kosovës. Dhe, po ashtu, është naive të mendohet se edhe sot nuk ka njerëz të tillë”, ka thënë Ahmeti Isufi në  emisionin “Debat” në RTK.