Brukseli shton vëmendjen në Veri
Një ditë pas incidentit në veri, Komandanti i Operacioneve Civile i Bashkimit Europian, Hansjorg Haber ka ardhur në Kosovë për të diskutuar rreth situatës së re të krijuar. Haber është takuar me Zëvendëskryeministrin Kuçi.
Lajme
Brukseli e ka marrë shumë seriozisht incidentin e djeshëm në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë një oficer doganor i EULEX’it dhe u plagosën dy persona të tjerë.
Një ditë pas këtij incidenti, Komandanti i Operacioneve Civile i Bashkimit Europian, Hansjorg Haber ka ardhur në Kosovë për të diskutuar rreth situatës së re të krijuar.
Ai është takuar gjatë ditës me Zëvendës Kryeministrin e Kosovës, njëherit Ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Bashkimi Europian e ka dënuar fuqishëm sulmin e djeshëm në afërsi të Zveçanit ku mbeti i vrarë pjesëtari lituanez i stafit të EULEX’it.
Përfaqësuesi Special i BE’së në Kosovë, Samuel Zbogar ka thënë se çdo sulm ndaj pjesëtarëve të EULEX’it paraqet sulm mbi vetë BE’në, ndërsa EULEX premtoi se “nuk do të lë gur pa lëvizur” derisa t’i gjejë kryesit e këtij sulmi.