Reforma zgjedhore do të përmbyllet në mars
Deputeti Armend Zemaj thotë se Komisioni për Legjislacion mund t’a përfundojë deri në mars amandamentimin e Reformës zgjedhore. Ai thotë se me ligjin e ri zgjedhor, procedurat do të jenë më të thjeshtëzuara.
Lajme
Anëtari i Komisionit për Legjislacion, nga LDK, Armend Zemaj, thotë se reforma zgjedhore pritet që të përfundojë në muajin mars.
Në një intervistë për “Tribuna” Zemaj thotë se ajo çka krejt i duhet këtij ligji për zgjedhje, është thjeshtëzimi i procedurave zgjedhore.
“Komisioni do të punojë me dinamikë të shtuar ku shpresoj se fundi apo fillimi i muajit mars do të jetë koha e miratimit të këtij projektligji, i cili për nga rëndësia është shumë specifik për vendim dhe institucionet tona”.
“Kosova ka nevojë për një ligj i cili thjeshtëzon procedurat zgjedhore, i cili mundëson mbarëvajtjen më të lehtë të zhvillimit të zgjedhjeve dhe i cili garanton vullnetin e qytetarëve”.
“Këto janë elementet kryesore edhe të nevojës së reformimit të këtij sistemi aktual zgjedhor”.
“Detyra e parë e punës është të arrihet konsensusi që ligji të ketë formën dhe përmbajtjen më të mirë të aplikueshme, e cila do të ishte e pranueshme, edhe për faktorin ndërkombëtar”.
“Ekziston mundësia që të kemi edhe ekspertë të jashtëm që mund t’i ndihmojnë këtij procesi, pasi që draftligji është pothuajse me shumicën e elementeve të plotësuara”.
Deputeti Zemaj, thotë se subjekti i tij, kërkon që të ketë një thjeshtëzim të procesit zgjedhor. Thotë se LDK nuk është për lista të mbyllura.
“Parimisht ne kemi menduar që duhet të thjeshtohet procesi zgjedhor, që nënkupton se procedurat burokratike të votimit të jenë sa më të lehta”.
“E dyta KQZ si institucion kushtetues që merret me zhvillimin e zgjedhjeve, udhëheqja proporcionale e saj, pastrimi i listave zgjedhore dhe deri te mbarëvajtja zgjedhore”.
“Mbyllja e listave për ne është e papranueshme për shkak edhe të kultivimit të demokracisë së brendshme të subjektit tonë”.