Kosova vendimtare për përparimin e Serbisë
Ivica Dacic thotë se bashkëpunimi me Kosovën është vendimtar për përparimin dhe integrimin e Serbisë. Sipas tij, problemi në Kosovë është shekullor dhe nuk duhet të shndërrohet në një konflikt të ngrirë.

Lajme
Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se bisedimet e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian janë të lidhura me bisedimet që zhvillohen me Kosovën dhe nuk janë pengesë për njëra-tjetrën.
Dacic këto komente i ka bërë në Konferencën e Sigurisë, në Munih.
Kryeministrat Ivica Dacic dhe Hashim Thaçi, së bashku me Përfaqësuesen e Lartë të BE’së, Catherine Ashton, kanë qenë sot panelistë të kësaj konference, ku kanë folur për Dialogun Kosovë-Serbi.
Aty është diskutuar edhe për vazhdimin e dialogut më 12 shkurt, datë kjo që u caktua gjatë takimit të fundit në Bruksel.
Dacic tha se Serbia do të mund të përfshihet aktivisht si në dialog për anëtarësim në BE, ashtu edhe procesin e dialogut me Kosovën.
“Nuk do të ketë bllokim të bisedimeve me Prishtinë dhe as me Brukselin, të cilët janë të lidhur direkt për vazhdimin e eurointegrimit”.
Kryeministri serb ka thënë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB’së, që do të mbahet më 10 shkurt, do të diskutohet edhe për Kosovën.
Mediat serbe bëjnë të ditur se Dacic ka pasur takim edhe me Sekretarin Gjeneral të OSBE’së, Lamberto Zannier, ku ka folur për mbështetjen që ky mision pritet ta bëjë në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme serbe në Kosovë.
Ndërsa, sipas agjencisë së lajmeve kroate “Hina”, Dacic u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe, ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi ka premtuar një bashkëpunim të plotë të Qeverisë së Kosovës për komunitetin serb, si çështje kyçe në normalizimin në mes të dy vendeve.
Dacic ka vlerësuar se problemi kryesor është mënyra se si do t’i bindin serbët në Veri të Kosovës që të jenë konstruktivë dhe t’u tregohet se bashkëpunimi është në interes të tyre.
Ai ka potencuar se problemi me Kosovën vazhdon me shekuj.
“Problemi në Kosovë është shekullor dhe se nuk duhet që të shndërrohet në një konflikt të ngrirë. Jam i vetëdijshëm që bashkëpunimi me Kosovën do të jetë vendimtar për përparim dhe integrim të Serbisë në BE”.
(Fotot janë marrë në llogarinë e Kryeministrit Hashim Thaçi në Facebook)