Kjo nuk do të jetë reformë zgjedhore
Driton Selmanaj nga KDI thotë se nuk do të ketë reformë zgjedhore, por vetëm plotësim të legjislacionit aktual. Mendon se Komisioni Legjislativ nuk do të ketë shumë punë. Sipas tij, me ndryshimet e tilla, zgjedhjet mund të mbahen në qershor.
Lajme
Ligji aktual për Zgjedhjet nuk do t’i nënshtrohet një reforme përmbajtjesore, por do të ketë vetëm një plotësim a ndryshim të tij, i cili ka të bëjë më tepër me çështjet teknike.
Kështu ka konstatuar Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në kohën kur Komisioni për Reformë Zgjedhore i ka kaluar kompetencat tek Komisioni Legjislativ.
Komisioni Ad-Hoc Parlamentar për Reformë Zgjedhore ishte mandatuar në prill të vitit 2011 për të bërë një reformë të mirëfilltë në legjislacionin aktual, marrëveshje kjo e arritur në kohën kur tre liderët politikë, Thaçi, Mustafa, Pacolli, zgjodhën Presidentin konsensual, për ta kaluar ngërçin politik.
Por, Selmanaj i ka thënë lajmi.net se deri më tani ky Komision ka kryer punën vetëm sa i përket çështjeve teknike dhe logjistike të organizimit zgjedhor.
“Më nuk bëhet fjalë për reformë, mirëpo bëhet fjalë për plotësim ndryshim të legjislacionit aktual, i cili më tepër ka të bëjë me çështjet teknike të procesit zgjedhor, sesa me një reformë përmbajtjesore, për çka edhe ka qenë qëllimi fillestar i ndryshimeve të Ligjit zgjedhor”.
“Ata kanë bërë njëfarë pune sa i përket disa çështjeve teknike dhe logjistike të organizimit zgjedhor. Kurse, në reformën e mirëfilltë është menduar të preken disa çështje që janë të karakterit politik, qoftë ndarja e Kosovës në zona zgjedhore, ndryshimi i Ligjit Zgjedhor për zgjedhjen e Presidentit, ndryshimi i KQZ`së, ose ndryshimi i pragut zgjedhor”
“Të gjitha këto çështje, sipas të gjitha gjasave, nuk do të adresohen, sepse kanë implikime kushtetuese dhe tani kemi një akordancë që të mos preket”.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës të premten votuan pro kalimit të kompetencave për reformë nga Komisioni Ad-Hoc, tek Komisioni Legjislativ.
Megjithatë, Selmanaj mendon se ky Komision nuk do të ketë shumë punë, pasi, sipas tij, Komisioni pararendës ka kryer një pjesë të saj. Ndërsa, mendon se kjo çështje nuk do të marrë shumë kohë.
“Ky Komision nuk ka shumë punë, sepse një pjesë të punës së tij veç e ka kryer Komisioni pararendës. Mendoj që çështjet teknike nuk marrin shumë kohë dhe ato më tepër duhet të kryhen proceduralisht”.
“Meqenëse nuk është prekur përmbajtja serioze strukturore e ligjit dhe e sistemit zgjedhor në Kosovë, kjo çështje nuk do të marrë kohë dhe gjithmonë duhet ta konkludojmë që nuk bëhet fjalë për reformë, por bëhet fjalë për plotësim-ndryshimi të Ligjit, i cili veç ka qenë i aplikueshëm në Kosovë”.
Sipas Selmanajt, nëse Ligji pëson ndryshime sipërfaqësore, nuk do ta pengonin procesin zgjedhor që të zhvillohet në qershor apo edhe më herët.
“Në qoftë se kemi të bëjmë me çështje sipërfaqësore dhe jo shumë të rëndësishme për Ligjin, atëherë mendoj që ndryshime, të cilat do të bëhen në Ligj eventualisht, gjatë muajit shkurt ose maksimumi në mars, assesi se nuk do ta pengonin që procesi zgjedhor të zhvillohet në qershor apo edhe më herët”.
“E kaluara e ka dëshmuar që nëse bëhen ndryshime sipërfaqësore, atëherë mund të shkohet edhe në proces elektoral”.
Reforma në Ligjin për Zgjedhjet ka mbetur e bllokuar tash e dy vjet, për shkak të mospajtimeve në mes të liderëve të partive politike.