Kosova vendos vizat për shtetasit e Bosnjës
Qeveria e Kosovës vendosi regjimin e vizave për shtetasit e Bosnjës. Ministri Enver Hoxhaj e arsyetoi këtë vendim me mosreflektimin e autoriteteve boshnjake ndaj kërkesave të Prishtinës për njohjen e dokumenteve të udhëtimit të Kosovës.
Lajme
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për të vendosur regjim vizash për shtetasit e Bosnjës dhe Hercegovinës që duan të hyjnë në Kosovë.
Këtë vendim e ka marrë ekzekutivi kosovar në mbledhjen e sotme.
Arsye për këtë vendim është mosreflektimi i autoriteteve të Sarajevës për të mundësuar lëvizje të lirë për shtetasit e Kosovës.
Këtë vendim e ka arsyetuar Ministri i ashtëm, Enver Hoxhaj.
“Me datën 29 nëntor 2013 kemi marrë një vendim për vendosje të vizave për 37 shtete në vende të ndryshme të botës që ka të bëjë me procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa sot kërkojë nga ju, të nderuar kabinet qeveritar që të vendosim, që të vendoset po ashtu regjimi i njëjtë i vizave për Bosnje dhe Hercegovinën”, ka thënë Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.
“Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës deri në vitin 2012, Bosnja ka pasur një qasje shumë izoluese karshi Kosovës. Në atë kohë nuk ka pasur as regjim të vizave, pothuajse kemi qenë në një situatë, asnjë qytetarë i Republikës të Kosovës nuk ka mundur të lëvizë lirshëm drejt Bosnjës pa viza”.
“Në vitin 2011 dhe 2012, kemi bërë përpjekje që ta gjejmë një modus me Bosnjën. Përkundër kësaj qeveria e Bosnjës ka marrë një vendim që të vendoset një regjim i vizave për Republikën e Kosovës”.
“Më lejoni të ju informoj që ky regjim i vizave i cili aplikohet nga Bosnja karshi qytetarëve të Kosovës është një regjim shumë specifik, jep më shumë leje speciale sesa viza të zakonshme, për qytetarë të Kosovës që udhëtojnë në Bosnje, vendimi merret në Qeveri dhe mandej procedohet në Ministri të Punëve të Jashtme”.
“Kështu që pas kësaj krejt historie të relacioneve Bosnje-Kosovë sa i përket lëvizjes pa viza drejt Bosnjës, ne sugjerojmë që të ketë vendosje të masave të reciprocitetit ndaj Bosnjës. Një masë e tillë e ka mbështetjen edhe nga komuniteti boshnjak në Republikën e Kosovës”.
“Kjo masë e reciprocitetit nuk është e drejtuar ndaj qytetarëve të Bosnjës por në të njëjtën kohë është një mesazh për autoritetet që në një të ardhme të afërt besojmë që do të bëjmë zgjidhje politike që qytetarët tanë dhe të Bosnjës të lëvizin të lirë”, ka thënë Hoxhaj.
Deri më tani, qeveria e Bosnjës dhe Hercegovinës ka qenë kokëfortë në kërkesat për njohjen e pasaportave të Kosovës, duke mbajtur qëndrim madje edhe më të fortë se vetë qeveria e Serbisë, e cila tashmë është pajtuar që shtetasit e Kosovës mund të udhëtojnë nëpër Serbi me dokumente të Kosovës.