Zgjedhje për Shtet
Kryeministri Thaçi përshëndet zgjedhjet e djeshme. Thotë se ato janë të rëndësishme për Shtetin e Kosovës dhe përgëzon organet e rendit, sigurisë dhe drejtësisë që luajtën rol në zgjedhje.
Lajme
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar lartë procesin zgjedhor të 1 dhjetorit.
Ai ka thënë se qytetarët treguan një nivel të lartë politik e demokratik sikur në raundin e parë të zgjedhjeve më 3 nëntor.
I pari i ekzekutivit ka falënderuar Bashkimin Europian, SHBA`të për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës.
Ai ka përshëndetur KQZ`në për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të gjitha mekanizmat e sigurisë dhe të drejtësisë Policinë, Prokurorinë, EULEX`in dhe KFOR`in për punën e tyre të mirë në veri dhe në të gjithë territorin e Kosovës.
“Mbajtja e zgjedhjeve të lira, fer dhe transparente, të organizuara mirë dhe me standardet më të larta ndërkombëtare, është sinjali më i mirë që u dërgua nga Kosova për mbarë botën demokratike, për miqtë dhe mbështetësit e proceseve demokratike në Kosovë”.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës edhe më 1 dhjetor, ashtu si edhe më 3 nëntor, me pjesëmarrjen e tyre në procesin zgjedhor dëshmuan një emancipim të lartë politik dhe demokratik”.
“Sot për shtetin e Kosovës, për të gjithë qytetarët e saj është një ditë e lumtur, pasi përmbyllëm një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm drejt konsolidimit të shtetit tonë, sovranitetit dhe institucioneve demokratike dhe legjitime të Republikës së Kosovës”.
Kryeministrit Thaçi gjithashtu ka falënderuar qytetarët dhe të gjitha grupet politike për pjekurinë e treguar në këto zgjedhje të cilat sipas tij janë një proces i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit.
“Për herë të parë, në historikun e saj, pas luftës, Kosova organizon zgjedhjet në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë këtu edhe katër komunat veriore të Kosovës”.
“Për herë të parë, pas shpalljes së pavarësisë, Kosova organizon zgjedhje me pjesëmarrje të të gjitha grupeve etnike në gjithë territorin e saj”.
“Kjo është një histori e re për Kosovën, është hapur një kapitull i ri, kapitulli evropian i konsolidimit të shtetit tonë”.
“Këto zgjedhje janë kyçe për të ardhmen e Kosovës. Jam i bindur se pjekuria e qytetarëve dhe institucioneve tona janë mesazh i qartë për të gjithë”.
“Këto zgjedhje janë test evropian për Republikën e Kosovës. Shteti ynë, Kosova, dhe qytetarët e Kosovës, kaluan këtë test jashtëzakonisht të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, për të dëshmuar rendin demokratik, për të dëshmuar rolin aktiv të demokracisë dhe perspektivës së sigurt europiane”, ka thënë Kryeministri Hashim Thaçi.